Vora, rikthimi i lojtarëve kyç dhe sfidat vendimtare
Vora po shfrytëzon pushimet e ndërprerjes së kampionatit për të përgatitur pjesën e fundit të sezonit, duke u fokusuar sidomos te lojtarët që kanë munguar më shumë gjatë kampionatit, si Françesko Hasaj dhe Bernard Karrica, dy pika kyçe të skuadrës. Tre seancat stërvitore të nisura pas humbjes me Tirana do të vijojnë për rreth një javë tjetër, për t’u përgatitur për ndeshjen e javës së 30-të kundër Teuta, një takim ku fitorja mbetet synimi kryesor i vorakëve.
Përballjet me Teutën – Në dy përballjet e mëparshme me durrsakët, të luajtura në Durrës, Vora ka arritur një barazim dhe një humbje. Në ndeshjen e parë, Tabaku barazoi autogolin e shënuar nga Dajan Shehi në minutën e 33-të, duke përfunduar 1-1. Në ndeshjen e dytë, vorakët humbën 1-0 nga një gol i kapitenit Kotobelli në minutën e 68-të. Në përballjen e parë të këtij viti në Vorë, vendasit ishin shumë pranë fitores pas golit të Kasalla në minutën e 26-të, por barazimi i durrsakëve erdhi pas 11 minutash shtesë me golin e Maçolli. Me këto përvoja në bagazh, takimi i katërt mes Vora dhe Teuta duket si një mundësi reale për fitore, që do të forconte pozitat e humbura në ndeshjet e fundit. Pushimi dhe rikuperimi – Pushimi mes sfidave me Tirana dhe Teuta e gjen Vora në mes të rrugës së saj për mbijetesë, me forca të ripërtërira. Lojtarët e dëmtuar pritet të jenë gati për t’u vënë në shërbim të trajnerit Bellaj dhe për të mbyllur me sukses këtë fazë vendimtare të kampionatit.
KALENDARI- Vorën e pret një kalendar i ngjeshur, por me avantazhin që të gjitha ndeshjet e mbetura do të zhvillohen në fushën e saj. Kjo ofron mundësinë për të shfrytëzuar maksimalisht faktorin fushë dhe për të përmirësuar pozitat në renditje. Kjo fazë finale premton emocione dhe beteja të forta, ndërsa Vora synon të mbyllë sezonin me rezultate që i japin mundësinë për të ruajtur pozitën e saj dhe për të treguar forcën e lojtarëve kyç.
Ja ndeshjet e mbetura, të gjitha në Vorë.
Java 30, Vora – Teuta; Java 31, Flamurtari – Vora; Java 32, Vora – Vllaznia; Java 33, Egnatia – Vora; Java 34, Vora – Elbasani; Java 35, Dinamo – Vora; Java 36, Vora – Bylis.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













