Evolucioni ndër vite/ Shtimi i skuadrave, pas 13 vitesh pritje! Klubet duhet të kënaqen
Për rreth 30 vite, Kategoria Superiore ka pësuar disa herë ndryshime në konceptim, format dhe formulë. Nga 16 ekipet e 1998-ës, sezonin e fundit në elitë luajtën vetëm 10 klube. Po cila është historia e elitës së futbollit shqiptar dhe si ka ndryshuar ndër vite.

Gjatë fashës 1998/1999– 2025/2026, formati i kampionatit ka pësuar ndryshime të shumta në numrin e klubeve pjesëmarrëse. Ndryshime kanë pësuar strukturën e garës, titullin kampion dhe rënien nga kategoria. Në sezonin e largët 1998/1999 kampionati zhvillohej me 16 skuadra të ndara në dy faza, ndërsa tre skuadra binin nga kategoria.
Për më tepër, në fund u luajt edhe një ndeshje për titullin kampion mes Tiranës dhe Tomorit. Nga kampionati 1999/2000 në kampionatin 2002/2003 numri i skuadrave u ul në 14, ndërsa dy skuadra binin direkt nga kategoria. Në 2002/2003 përballje mes Lushnjës dhe Apolonisë për qëndrimin në Superiore, ku një skuadër luftonte për mbijetesë.
Epoka me 10
Ndryshimi më i rëndësishëm ndodhi në sezonin 2003/2004, kur kampionati u reduktua në 10 skuadra dhe me katër faza. Ky format vazhdoi deri në 2005/2006. Nga kampionati 2006/2007 deri te 2010/2011 numri i skuadrave u rrit në 12. Fillimisht dy ekipe binin direkt nga kategoria, ndërsa nga 2007/2008 u aplikua sistemi “2+2”, ku dy skuadra binin direkt dhe dy të tjera luanin në “play out”. Në 2011/2012 kampionati u zgjerua përsëri në 14 skuadra.
Në këtë sezon u përdor formati “2+3”, ku dy skuadra binin direkt dhe tre luanin në ndeshjet e mbijetesës me kundërshtarët e Kategorisë së Parë. Ky sistem zgjati vetëm një sezon. Në kampionatin 2012/2013 katër skuadra ranë direkt nga kategoria, ndërsa në 2013/2014 u ruajt numri prej katër skuadrash të rëna, por kampionati u zhvillua me 12 ekipe dhe tri faza. Nga 2014/2015 dhe në 2018/2019 kampionati u “saldua” me 10 skuadra dhe katër faza. Gjatë kësaj periudhe dy skuadra binin direkt nga kategoria dhe nuk kishte “play out”.

“Final 4”
Një sistem i ri u zgjodh nga sezoni 2019/2020. Kampionati qëndroi me 10 skuadra dhe katër faza, por modeli i rënies ishte “2+1”, ku dy skuadra binin direkt, një skuadër luante në “play out” me një ekip të Kategorisë së Parë. Në 2023/2024 u prezantua një format i ri me katër faza të rregullta dhe ndeshje shtesë në “Final 4” (“4+1”).
Për herë të parë, katër klube luanin me njëra-tjetrën dhe vendosnin e kampionin e Shqipërisë, sistemi i rënies nga kategoria qëndroi “2+1”. Në sezonin 2025/ 2026 u ruajt boshti me 10 ekipe dhe modeli 4 + “Final 4”, por numri i ndeshjeve shtesë, nga katër u bë gjashtë. Këtë sezon të ri do të ketë ndryshim në formulë, por jo në skuadra. 12 ekipet do të bëhen nga kampionati 2027-2028 që sjell kështu edhe mbylljen e kampionatit të vogël.
PANORAMASPORT.AL













