Vora me emergjencë në mbrojtje, Çibuike: Këtu ndihem si në shtëpi
Vora po vijon përgatitjet për sfidën e së dielës ndaj Bylisit në Ballsh, por trajneri Bellaj përballet me probleme serioze në mbrojtje.

Dy titullarë, qendërmbrojtësi Dajan Shehi dhe mbrojtësi i majtë Jurgen Vrapi, nuk do të jenë të gatshëm. Shehi u dëmtua ndaj Elbasanit, ndërsa Vrapi u ndëshkua me karton të kuq ndaj Dinamos. Në këto kushte, trajneri ka pak alternativat në dispozicion, pasi për qendrën e mbrojtjes është i pezulluar nga kartonët edhe Çibuike Prestige, ndërsa Gecin mund të aktivizohet në krahun e majtë. Mbrojtësi nigerian, 21 vjeç, erdhi te Vora më 8 gusht 2025 nga “Ikorodu City FC”.
Çibuike Prestige konsiderohet si një nga mbrojtësit premtuese, falë fizikut të fortë, lojës në ajër dhe aftësisë për të përdorur të dyja këmbët. Gjatë këtij sezoni ai ka zhvilluar 11 ndeshje dhe ka treguar stabilitet në repartin difensiv. Në një prononcim për “Panorama Sport”, mbrojtësi afrikan shprehet i kënaqur me eksperiencën në Shqipëri.
“Erdha te Vora me shumë besim dhe jam i lumtur që pranova këtë projekt. Këtu ndihem si në shtëpi, sepse kam gjetur respekt dhe mbështetje. Shqipëria është një vend shumë i bukur dhe më pëlqen shumë”, tha fillimisht ai. Duke folur për konkurrencën në ekip, Çibuike Prestige thekson se vendi në formacion fitohet vetëm me punë.
“Te Vora ka shumë konkurrencë dhe duhet shumë punë për të fituar një vend në ekip. Jam ende i ri dhe shpresoj të përmirësoj më shumë performancën dhe cilësinë time në fushë”. Sa i përket humbjes ndaj Dinamos, ku ai luajti si titullar, mbrojtësi pranon se ishte një goditje për skuadrën.
“Humbja me Dinamon na vështirësoi disi situatën. Është një ekip shumë i fortë dhe i vetmi që na ka mundur tre herë këtë sezon”. Ndërsa për sfidën e radhës në Ballsh, ai pret një përballje të fortë.
“Më shumë se kundërshtari, fusha është e vështirë. Megjithatë, skuadra do të japë maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv. Është një ndeshje e rëndësishme për objektivat tona dhe besoj se mund t’ia dalim”.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













