Vora e Superiores zgjeron stafin teknik, ekipit i bashkohet një njohje e vjetër
Eldiano Topi, trajneri 45-vjeçar, do të jetë sërish pjesë e Vorës. Tashmë në rolin e asistentit të skuadrës së parë, si dhe përgjegjës i akademisë së futbollit “Vora”. Ai do t’i bashkohet stafit teknik të Vorës me trajnerin Arian Bellai dhe zv.trajnerin Endri Zjarri në drejtimin e skuadrës së Superiores.

Lidhur me këtë detyrë të re, trajneri Topi, për “Panorama Sport” u shpreh: “Së pari, dua të them se te Vora është jo vetëm kënaqësi të punosh, por edhe një detyrim për mua, që të mos i shkëputem projektit të madh: “Vora Superiore”. Ky ishte një projekt i hartuar shumë vite më parë, kur e ngritëm skuadrën nga Kategoria e Tretë dhe e shpallëm kampione. Që atëherë, Vora ngjiti shkallët, duke kaluar të gjitha nivelet e futbollit shqiptar. E tashmë më lart, ky projekt bëri që kjo skuadër të jetë këtu në elitën e futbollit shqiptar, duke shkruar një histori ‘të artë’ të dekadës së fundit. Së dyti, ishte këmbëngulja e presidentit dhe trajnerit Bellai, që unë ta pranoja këtë ofertë.
Për mua është një obligim që të kontribuoj për skuadrën time. Kategorinë Superiore e njoh mirë, pasi kam qenë pjesë e saj më 2015-ën dhe 2017-ën dhe kam fituar jo pak eksperiencë. Por, edhe duke qenë pjesë e Prishtinës gjatë sezonit 2023-2024, horizonti është përhapur edhe më shumë. Së treti, dua të them se Vora e këtij sezoni do të jetë një skuadër me shumë uri, e cila do të luftojë në dy fronte, si në atë të mbijetesës, por edhe në atë të pretendimeve. Kjo nuk është çështje oreksi, por unë jam i mësuar me tituj. Garancia është mbështetja që Vora ka, si nga ana e presidencës, ashtu edhe nga bashkia. Ne të gjithë së bashku me këtë plan ambicioz arritëm të shkruajmë një histori të re për Vorën”.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













