Vora bëhet gati për Elbasanin, trajneri Bellai ndan ekipin
Vora po punon në dy drejtime gjatë kësaj periudhe ndërprerjeje të kampionatit. Nga njëra anë, trajneri Bellai po merret kryesisht me ekipin e parë, që kërkon të rikthehet te fitorja në “Elbasan Arena”, pasi tre humbje radhazi nuk mund të përballohen.

I gjithë përqendrimi i tij është te formacioni titullar, ndërsa kërkon nga stafi mjekësor rikuperimin e plotë të lojtarëve për të qenë gati ndaj Elbasanit. Në krahun tjetër, zëvendësi i tij, Topi, po punon me një formacion të dytë që pritet të aktivizohet në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë.
Në këtë grup bëjnë pjesë shumë futbollistë që ende nuk janë aktivizuar këtë sezon, si portierët 27-vjeçari Romeo Harizaj dhe 17-vjeçari Flavio Shala, 20-vjeçari Agim Xhabafti, 18-vjeçari Rajmond Marinaj, 21-vjeçari Chibuike Prestige Ohaegbulam, 25- vjeçari Enis Fazlagiç (me vetëm një ndeshje këtë sezon), 20- vjeçari Matheus Hasrama, braziliani 23-vjeçar Gabriel Silva Azevedo Figueredo, 17-vjeçari Semuel Zito dhe mesfushori 18- vjeçar Klaus Kashari, i cili ka kaluar në të gjitha nivelet e përfaqësueseve kuqezi, nga ekipi U-15 deri te U-19, me plot 21 ndeshje me fanellën e Kombëtares. Puna paralelisht në të dy drejtimet i jep mundësi Bellait të nxjerrë përfundime të vlefshme për zëvendësimet në rast dëmtimesh dhe për të pasur më shumë alternativa gjatë sezonit.
XHABAFTI – Lidhur me ecurinë e deritanishme dhe për ndeshjen e Kupës kundër Maliqit, 20-vjeçari Agim Xhabafti, prodhim i Akademisë “Vora” dhe prej tre sezonesh pjesë e ekipit të parë, u shpreh për “Panorama Sport”: “E dëshiroj shumë aktivizimin tim të parë këtë sezon me Vorën në Superiore. Ndoshta ndeshja kundër Maliqit në Kupën e Shqipërisë do të jetë hapësira ime e parë. Jam ndoshta një nga të paktët ‘produkte vendase’ që kanë dalë nga ekipet zinxhir të Vorës. Jam i përkushtuar maksimalisht që në çdo paraqitje të jap gjithçka nga vetja.
Këtu te Vora ka shumë lojtarë me eksperiencë në rolin tim dhe kam mësuar shumë nga Dajan Shehi. Kam bindjen e plotë se skuadra jonë jo vetëm që do të qëndrojë në Kategorinë Superiore, por do të jetë edhe pjesë e zonës ‘Final 4’. Po ashtu, në Kupë do të synojmë një rrugëtim sa më të gjatë, madje deri në gjysmëfinale.” Sa i përket fillimeve të tij në futboll, Xhabafti kujton ne nostalgji. “Që fëmijë kam filluar të luaj me top, dhe babai im kujdesej gjithmonë që të mos më mungonte asnjëherë. Kur u hap Akademia ‘Vora’, isha ndër të parët që u regjistrova. Ishte një kohë e vështirë, pasi ekipi kishte rreth 30 lojtarë dhe vetëm pesë topa për stërvitje, ndërsa unë isha vetëm 14 vjeç. Megjithatë, falë stafit teknik të mëvonshëm, arrita të kaloja në ekipin e parë të Vorës në moshën 17-vjeçare. Jam këtu prej tre sezonesh dhe këtë skuadër e dua me shpirt. Do të jap gjithmonë më shumë se çdokush tjetër për Vorën”, mbylli Xhabafti.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













