Vllaznia pranë kualifikimit historik në turin e tretë, Gurishta: Vikinguri nuk është më favorit, me ndeshjen e parë ju treguam që…
Erdenis Gurishta është një nga liderët e Vllaznisë. Në prag të ndeshjes së kthimit me Vikingurin që luhet në transfertë, mbrojtësi ka dhënë një prononcim për mediat.
Jemi një ditë para ndeshjes, cilat janë emocionet?
Normalisht është një ndeshje me emocione dhe me zor po e presim sepse jemi në turin e dytë dhe kemi një mundësi shumë të mirë për të kaluar në turin e tretë që do të ishte historike për klubin pasi Vllaznia ska kaluar asnjëherë në turin e tretë, Jemi gati, kemi ardhur që ditën e djeshme. Po ambientohemi me klimën, sot kemi stërvitjen para ndeshjes, besoj çdo gjë është në ritmin e duhur dhe shpresoj të afrohet orari i ndeshjes dhe të futemi në fushë për të dhënë maksimumin.
Fitorja në Shkodër ju jep më shumë besim për kualifikimin?
Padyshim fitorja në Shkodër është një plus i madh pasi vijmë me moralin e lartë, kemi një gol në avantazh, sido që të shkojë ndeshja ne nuk jemi të dorëzuar sepse 2-1 është një rezultat që të mban në lojë deri në fund, presioni është tek ekipi kundërshtar, ne nuk kemi fare presion dhe besoj se jemi në rrugën e duhur, por duhet tja lemë fushës.
Punën më të madhe mendohet se e ka reparti i mbrojtjes nesër, a jeni fokusuar te aspekti që mos të pësoni?
Shiko, padiskutim që reparti i mbrojtjes duhet të jetë i fokusuar gjatë 90 minutëshit sepse Vikinguri ka një ekip të fortë me sulmues të mirë, janë edhe në ritëm, fizikisht të mirë, siç dihet në Islandë kampionati është para nesh për kushtet atmosferike, pra janë në gjysmë të kampionatit, dhe duhet të jemi fokusuar sidomos në repartin e mbrojtjes. Por nuk kemi ardhur këtu vetëm për tu mbrojtur por edhe për të zhvilluar lojën tonë, e dimë që do të jetë ndeshje e vështirë, por ndonjëherë vështirësitë sjellin lumturi në fundin e ndeshjes.
Ju që keni pak më shumë eksperiencë a keni folur me çunat për peshën e ndeshjes?
Patjetër ne që quhemi me eksperiencë duhet të marrim përgjegjësi, e dimë rëndësinë e ndeshjes, kemi folur edhe me çunat e rinj që nuk kanë shumë eksperiencë ose e kanë për herë të parë në arenën ndërkombëtare. Jemi të gjithë bashkë dhe besoj që gjithçka do të jetë në rregull.
Gurishta, një vit më parë Vllaznia ka qenë në këtë qytet, ka luajtur me ekipin Valur dhe ka pasur mbështetjen e tifozerisë shqiptare dhe mes tyre shumë shkodranë të cilët pritet të jenë të shumtë nesër. Mendoni se do të jetë një armë plus mbështetja e tyre?
Normalisht që mbështetja e tifozëve është armë plus, por e dimë që është një vend i largët edhe është e pamundur të vijnë shumë tifozë. Por gjithsesi tifozeria shkodrane e ka gjetur mundësinë për të na mbështetur në çdo vend.
E kam fjalën për tifozët që jetojnë këtu në Rejkjavik…
Tifozët që jetojnë këtu normalisht i mirëpresim dhe do të jenë një mbështetje për ne.
Futeni si favoritë?
Pas ndeshjes së parë që fituam 2-1 e dimë që është një mundësi shumë e mirë dhe reale për të kaluar në turin e tretë. Ndoshta para ndeshjes, emisionet apo gazetarët e kanë cilësuar favorit Vikingurin, por me ndeshjen e parë e kemi ndryshuar mendimin që kanë pasur. Dhe tani flitet që ndoshta jemi 50 me 50, por besoj që me ndeshjen e parë treguam karakter duke e kthyer ndeshjen nga 0-1 në 2-1 dhe kemi pasur shumë mundësi të mira për të shënuar golin e tretë, mendoj që shanset janë të barabarta, thjesht duhet të jemi të përqëndruar, karikuar dhe fokusuar gjatë gjithë ndeshjes që të japim më të mirën tonë.
Për të shkuar në turin e tretë janë 3 rezultate në tavolinë, fitore, barazim por edhe me shtesë. Si mendoni se do të shkojë Vllaznia?
E rëndësishmë është që të shkojmë në turin e tretë, pastaj a shkojmë me shtesa, a shkojmë me 90 minuta, duke fituar a barazuar, kjo ka pak rëndësi, e rëndësishme është vetëm të kalojmë në turin e tretë.
BRIKENA BISKU-PANORAMASPORT.AL













