Vllaznia në “agjërim golash” para Partizanit, pretendentët për kampion mbushin tre ndeshje pa shënuar
Vllaznia po kalon një moment të pazakontë në kampionat, teksa “ngërçi” në repartin ofensiv është kthyer në një shqetësim real për skuadrën shkodrane. Ekipi i drejtuar nga Martini numëron tashmë tre ndeshje radhazi pa gjetur rrugën e rrjetës, një seri që ka zbehur disi ritmin e një skuadre që deri pak javë më parë shquhej për forcën sulmuese. Humbja minimale 1-0 ndaj Flamurtarit hapi këtë periudhë të vështirë, për t’u pasuar nga dy barazime pa gola kundër Egnatias dhe Dinamos.

Në këto tre sfida, Vllaznia jo vetëm që nuk ka marrë maksimumin e pikëve, por mbi të gjitha ka treguar vështirësi në konkretizimin e rasteve, duke lënë të hapur debatin për efikasitetin në fazën përfundimtare. Shifrat flasin qartë. Janë plot 270 minuta lojë pa gol për kuqeblutë, një statistikë e pazakontë për një skuadër që gjatë gjithë sezonit ka prodhuar volum të madh loje në sulm. Balaj & Co kanë “heshtur” përballë portave kundërshtare, pavarësisht përpjekjeve dhe dominimit në disa momente të ndeshjeve.
Megjithatë, paradoksi qëndron në faktin se, pavarësisht këtij bllokimi të përkohshëm, Vllaznia vazhdon të mbetet sulmi më i mirë i kampionatit. Me 36 gola të shënuar në 29 javë, shkodranët kanë ndërtuar një bazë solide gjatë sezonit, që tregon se problemi aktual mund të jetë më shumë një çështje momenti sesa një krizë e thellë. Trajneri Martini dhe stafi i tij janë të vetëdijshëm se një reagim është i domosdoshëm, sidomos në këtë fazë vendimtare të sezonit.
Rikthimi te goli do të jetë çelësi për të ruajtur ambiciet dhe për të mos humbur terren ndaj rivalëve direktë në renditje. Tashmë, vëmendja është përqendruar te ndeshja e radhës pas pushimeve të kampionatit. Kupritet të shihet nëse Vllaznia do të arrijë të thyejë këtë “agjërim” golash dhe të rikthehet te identiteti i saj sulmues. Për një skuadër me histori dhe potencial si ajo shkodrane, përgjigjja në fushë mbetet mënyra e vetme për të lënë pas këtë periudhë të vështirë.
PANORAMASPORT.AL













