Vllaznia, merkatoja për të plotësuar organikën është në vendnumëro
Pavarësisht se u diskutua dhe mendua se Vllaznia do e kompletonte skuadrën para ndeshjeve të Conference League, diçka e tillë duket shumë e vështirë të plotësohet në këto momente.
Shkodranët duket se momentalisht kanë rënë në qetësi më shumë seç duhet për sa u përket afrimeve në gjirin e tyre. Kjo jo vetëm për duelet në Europë, por edhe për vijimësinë e kampionatit në Superiore. Lojtari i fundit i zyrtarizuar si një afrim në radhët e 9 herë kampionëve të vendit është Artan Jazxhi. Mbrojtësi u zyrtarizua para thuajse dy javësh, duke pasur emra si: Kruja, Hakaj dhe Kuros, që janë afrimet e kuqebluve deri në këto momente.
Dhe që nga zytarizimi i shtatlartit, kuqeblutë, pavarësisht shumë emrave që kanë qarkulluar, ende s’kanë bërë asnjë lëvizje konkrete. Me emra si Adili që tashmë është zyrtarizuar në Kosovë te Gjilani, apo ai i Sherif Kallakut që po vijon dhe “shuhet” dalëngadalë si një pistë konkrete për transferimin e tij në Shkodër. Një “qetësi” në merkato te Vllaznia, e cila kërkon përforcime në çdo repart, pavarësisht se mund të duket e kompletuar në portë apo mbrojtje. Teksa synimi dhe qëllimi kryesor është afrimi i një mesfushori me tipare sulmuese apo edhe i ndonjë sulmuesi tjetër, pavarësisht se bazuar në skemën me dy sulmues që luan Martini, kuqeblutë kanë 4 futbollistë në repartin e avancuar. Me emra si Balaj, Dodaj, Mensah dhe Gruda, teksa afrimi i një sulmuesi tjetër mund të “mbulojë” një largim të mundshëm të Dodajt, me 19- vjeçarin, i cili ka disa ekipe të interesuara për shërbimet e tij. Aktualisht, merkato e Vllaznisë në hyrje është në “vendnumëro” dhe vetëm në ditët e ardhshme mund të presim për të parë një lëvizje konkrete të 9 herë kampionëve të vendit.
MBROJTËSI – Me këmbënguljen e trajnerit, Martini u soll në Shkodër gjatë kësaj merkatoje verore, për të qenë një nga liderët e mbrojtjes kuqeblu. Fjala është për Artan Jazxhi, i cili për herë të parë në karrierën e tij do të mbajë veshur një tjetër fanellë përveç asaj të Teutës në vendin tonë. Durrsaku duket se është përshtatur menjëherë me skuadrën dhe idetë e Martinit, të cilin e njeh mirë nga bashkëpunimi i tyre më parë në Durrës. Në të gjitha ndeshjet miqësore të kësaj vere, 23-vjeçari është prezantuar si titullar, duke dhënë edhe performanca pozitive, duke lënë të kuptohet se ai konsiderohet një titullar i padiskutueshëm për ndeshjet e Conference League përballë Daugavpils.
Duele të cilat do të zhvillohen në datat 10 dhe 17 korrik për ekipin 9 herë kampionëve të vendit tonë. Megjithatë, nga sa mëson gazeta në burime pranë klubit dhe vetë lojtarit, aventura e tij në Shkodër do të jetë vetëm për kupat e Europës. Kjo, pasi mbrojtësi është në formën e huazimit nga Teuta te Vllaznia dhe kjo vlen vetëm për duelet europiane dhe jo kampionatin e sezonit 2025-‘26. Prandaj mbrojtësi duket se pas zhvillimit të ndeshjeve të Conference League, do të kthehet në Durrës për të dhënë kontributin e tij për Teutën. Duke mos përjashtuar ndonjë surprizë në merkato, e cila mund të mundësojë vijimin e sezonit 2025-26 të Jazxhi në radhët e Vllaznisë.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













