Vllaznia do kthesën, 3 vite pas kualifikimit të fundit
Ndeshjet kualifikuese të kompeticioneve europiane do të hapin aktivitetin e ekipeve shqiptare për sezonin 2025-‘26 dhe përjashtim nuk bën as Vllaznia, me nënkampionët e Superiores që do ta nisin aventurën e tyre europiane me një duel dysh kundër skuadrës së Daugavpils nga Letonia.

Një duel, ku në letër kuqeblutë shihen si favoritë për të kaluar në turin e dytë dhe ku realisht ky është një objektiv i klubit. Kjo, pasi 9 herë kampionët e vendit tonë nuk duan të përsërisin gabimet e dy sezoneve të fundit, ku u eliminuan nga skuadra modeste si Lindfield apo Valur. Shkodranët nuk arrijnë të kalojnë një tur në kompeticionet europiane që nga sezoni 2021-‘22, ku triumfonin me një përmbysje ndaj Siroki Brijeg.
Në takimin e parë shkodranët mposhteshin me rezultatin 3-1 në Bosnjë, ku shpresa për një përmbysje jepte vetëm një gol i Mehdi Çobës në fundin e 90 minutave të para. Në kthim do të ishte një Vllazni e “zjarrtë” që edhe më mbështetjen e jashtëzakonshme të tifozëve në “Loro Boriçi”, arriti të fitonte me rezultatin 3-0. Duke përmbysur gjithçka falë një dopietë të Djurjdeviç dhe një goli të Eni Imamit, që do t’u siguronin kuqebluve kalimin në turin e dytë të atij sezoni të “Conference League”, ku më pas u eliminuan nga AEL Limasol i Qipros.
Që nga ai duel, Vllaznia nuk ka arritur të kalojë asnjë kundërshtarë në Europë. Ku në sezonin pasardhës do ta gjente veten të kualifikuar direkt në turin e dytë, duke pasur përballë rumunët e Krajova. Ndaj të cilëve u mposht me rezultatin e përgjithshëm 4-1. Edhe në edicionet 2023-24 dhe 2024-25, shkodranët nuk arritën të kishin sukses, duke u eliminuar që në turet e para të “Conference League”. Tashmë me pjesëmarrjen e 5-të radhazi në Europë në sezonet e fundit, ekipi i Martinit kërkon të “thyejë” këtë tabu dhe të kërkojë kalimin në turin e dytë të “Conference League”.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













