Vllaznia dhe Partizanit luajnë edhe për “bonusin”, ndeshja e Shkodrës ka vlerë të dyfishtë. “Demat” e nisin me avantazh
Ndeshja mes Vllaznisë dhe Partizanit që hap javën e 28 në Superiore, ka një rëndësi të veçantë për të dy skuadrat, për renditjen aktuale të kampionatit ku të dyja janë aktualisht pjesë e “Final Four”, por edhe për atë që mund të jetë në mbyllje të 36 javëve.

Në një kampionat ku situatat kanë ndryshuar shpesh, nuk është çudi që si në vitet e kaluara skuadrat ta mbyllin me pikë të barabarta. Ndaj dueli në “Loro Boriçi” merr një rëndësi të veçantë, pasi mund të vendosë fatin e ekipeve në tabelën e klasifikimit në fund të kampionatit nëse dy ekipet e mbyllin në të njëjtën kuotë pikësh.
Në fazën e parë ishte Vllaznia që fitonte në Tiranë 1-0, ndërsa në të dytën, sfida në Shkodër u mbyll 2-2. Në fazën e tretë, Partizani triumfoi 2-0 ndaj Vllaznisë në Tiranë, duke marrë kështu për momentin “bonusin” e përballjeve direkte falë këtij goli më tepër të shënuar në krahasim me kuqeblutë.
Këtyre të fundit u duhet vetëm fitorja ndaj të kuqve jo vetëm për të thelluar diferencën me ta në renditjen aktuale, por edhe për të kthyer bonusin e përballjeve direkte në krahun e tyre, pasi një barazim nuk do të ndryshonte asgjë nga situata që është aktualisht mes dy ekipeve.
Çfarë parashikon rregullorja
Nëse dy ose më shumë ekipe kanë grumbulluar të njëjtën sasi pikësh, renditja e tyre në tabelën e klasifikimit përcaktohet duke mbajtur në konsideratë kriteret më poshtë:
- Pikët e grumbulluara në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse;
- Diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse;
- Diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë Kampionatit Kombëtar të Futbollit, për Abissnet Superiore në sezonin përkatës;
- Numri më i madh i golave të shënuar gjatë Kampionatit Kombëtar të Futbollit, për Abissnet Superiore, sezoni futbollistik përkatëse;
- Me short;
PANORAMASPORT.AL













