Vlahoviç shtyn firmën me Juven, Igli Tare në “dritare”
Dushan Vlahoviç, rinovimi me Juventusin po vonohet dhe Milani provon sërish. Juventusi po merr kohë për sulmuesin serb dhe Milani përpiqet të përfitojë. “Mos prisni lajme për rinovimin para fundit të sezonit”, ka siguruar ditët e fundit administratori i deleguar bardhezi Damien Komoli. “Zonja e Vjetër” nuk heq dorë nga lojtari, i kërkuar fort nga trajneri Luçiano Spaleti, por firma nuk është më aq e afërt sa dukej para Pashkëve.

Dëmtimi i fundit i sulmuesit, i ndodhur gjatë nxehjes së ndeshjes Juventus– Xheno (6 prill), pas tre muajsh e gjysmë ndalese për shkak të operacionit në dhjetor në aduktor, ka ngadalësuar rikthimin e tij në fushë dhe gjithashtu bisedimet për zgjatjen e kontratës që skadon në fund të qershorit. Ora tashmë ka nisur të numërojë mbrapsht. Pas 75 ditësh, numri 9 i Juventusit do të jetë efektivisht lojtar i lirë. Në Kontinasa, javët e fundit është marrë një hapje nga ana e Dushan për të qëndruar dhe për të thelluar diskutimet bashkë me të atin, Milosh.
Megjithatë, “ndeshja ekonomike” sapo ka nisur dhe ende nuk është mbyllur. Serbi mund të firmosë që tani me çdo klub. Juventusi mbetet optimist, por është i vetëdijshëm për rreziqet, duke nisur nga rikthimi i interesit të Milanit. Xhiorxhio Kielini dhe Marko Otolini, së bashku me Komolin, i kanë garantuar Spaletit se do të bëjnë maksimumin për rinovimin e Vlahoviçit. Por gjithçka ka një çmim, edhe Dushan.
Rinovim i shkurtër
Pas investimit prej 80 milionë eurosh (me bonuse) në janar 2022 për ta marrë nga Fiorentina, Juventusi dëshiron të zgjasë kontratën pa u detyruar “ta riblejë” lojtarin si një parametër zero, me bonuse të larta firme dhe komisione të majme. Drejtuesit dhe rrethi i sulmuesit 26- vjeçar nga Beogradi po mendojnë për një rinovim “të shkurtër”, një ose dy vite, me një pagë të reduktuar të paktën në gjysmën e 12 milionë eurove neto aktuale. Pra më pak se Kenan Jildiz (7 milionë nga vera) dhe më pak edhe se 7.5 milionët që Vlahoviç fitonte në vitet e para në Torino. Bardhezinjtë besojnë te dëshira e sulmuesit për t’u rilançuar pas një sezoni të vështirë, në një ambient që e njeh mirë dhe me një trajner që e vlerëson si Spaletti. Vlahoviç është i vetëdijshëm për avantazhet teknike dhe ambientale, por ndërkohë rrethi i tij vazhdon të shikojë alternativa. Në merkato gjithçka mund të ndryshojë nga një ditë në tjetrën, sidomos për një lojtar në skadencë kontrate.
Kushtet dhe pista Milan
Edhe duke lëvizur pak më në lindje, drejt Milanos, Vlahoviç do të gjente një trajner që e vlerëson dhe që dëshiron ta rikthejë në nivele të larta. Me Masimiliano Alegri në stol, ai ka kaluar sezonin më produktiv te Juventusi (16 gola në 33 ndeshje në 2023-24). Në Milano do të kishte hapësira për t’u rikthyer si pikë referimi në sulm, pas muajve të komplikuar nga problemet fizike.
Alegri është gati ta presë dhe t’i besojë përgjegjësinë e plotë të repartit ofensiv. Vlahoviç është pikërisht sulmuesi që Milani kërkon prej vitesh, që pas largimit të Zlatan Ibrahimoviç dhe me përjashtim të Olivier Zhirud, kuqezinjtë nuk kanë gjetur një goleador të nivelit të lartë. Madje këtë sezon, për të kompensuar mungesën, Alegri ka improvizuar një dyshe sulmi me Rafael Leao dhe Kristian Pulisiç, dy anësorë të përshtatur në qendër, pa dhënë rezultatet e pritura.
Roli i Nkunku
Dobësitë në sulm e kanë bërë ndërhyrjen në merkato gjithnjë e më urgjente. Një goditje që Milani, i vendosur të rikthehet në Champions, nuk mund ta gabojë më. Ardhja e Vlahoviç mund të financohet nga shitja e një prej sulmuesve të afruar së fundmi pa sukses. Në fund të merkatos së verës së kaluar, pasi dështoi disa objektiva, Milani afroi me shpejtësi Kristopher Nkunku nga Çelsi për 37 milionë euro plus 5 milionë bonuse. Për shkak të kohës së kufizuar, klubi plotësoi plotësisht edhe kërkesat e lojtarit për pagën, 5 milionë euro në sezon plus bonuse, për pesë vite. Pas vetëm 6 golave në 29 ndeshje, Milani po sheh alternativa (që në janar kishte provuar ta shiste në Turqi). Në fund, edhe Nkunku mund të ketë rolin e tij, nëse shitja e tij sjell të ardhura ose kursime, këto fonde mund të përdoren për operacionin Vlahoviç.
PANORAMASPORT.AL













