Vila karikon skuadrën: Ky është viti i ringritjes për Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2025 | 17:59

Vila karikon skuadrën: Ky është viti i ringritjes për Teutën

Teuta prej 2 ditësh vijon stërvitjen në Ohër. Durrsakët po punojnë me dy seanca në ditë për të qenë të gatshëm për sezonin e ri. Në një prononcim për “Panorama Sport”, mesfushori Emiliano Vila ka folur për ecurinë e fazës përgatitore të skuadrës, duke theksuar se atmosfera në klub është shumë e mirë.

emiljano vila

Si po shkon faza përgatitore në Ohër?
Faza përgatitore po shkon shumë mirë. Përgatitjet po ashtu. Kushtet këtu janë shumë të mira dhe forma jonë vjen çdo ditë në rritje. Atmosfera e krijuar na motivon edhe më shumë. Të gjithë futbollistët premtojmë maksimumin.

Mbyllët një sezonin shumë të mirë në aspektin personal.
Unë, por jo vetëm, sezonin që u mbyll, kemi pasur ngritje të formës. Kjo nuk e shton presionin, por motivin dhe përkushtimin ndaj punës, që është garantuesi i vetëm i suksesit. Gjithsesi, duhet thënë se meritë të veçantë në ngritjen time ka përkrahja e vazhdueshme nga të gjithë në klub.

Të premten do të zhvilloni dhe miqësoren e parë në Ohër, si e shihni?
Kjo miqësore është ndeshje për të parë kondicionin fizik të lojtarëve. Kemi kohë mjaftueshëm përpara për t’u përgatitur ashtu si duhet dhe deri në startin e kampionatit jemi të bindur se do të jemi gati.

Si e shihni këtë sezon të ri, do të jetë më i vështirë?
Nuk duhet të shohim ekipet kundërshtare, sepse diferencat në kampionatin shqiptar janë shumë të vogla. Të bëhemi skuadër sa më e konsoliduar dhe të marrim rezultate.

Me çfarë synimi nis ky kampionat?
Duam ta vazhdojmë aty ku e lamë vitin e kaluar. Parashikoj një kampionat të bukur dhe të ekuilibruar, pasi disa rivalë janë përforcuar, ndërsa të tjerë dëshirojnë të konfirmohen. Të gjithë presim me padurim të fillojë gara.

Cilët janë objektivat e Teutës sivjet?
Të gjithë dëshirojmë të bëjmë më mirë se sa viti i kaluar, kur zhvilluam një kampionat që nuk e priste askush tjetër përveç nesh. Kemi besim në mundësitë tona dhe jemi të vetëdijshëm se mund të bëjmë gjëra më të mira se viti i kaluar.

Çfarë synimesh keni në aspektin personal me Teutën?
Synimet e mia janë të thjeshta. Të fokusohem për të dhënë më të mirën me ekipin e Teutës, që klubi ta arrijë synimet e tij.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL