Vëzhgimi për Elbasanin, ja formacioni më i aktivizuar në Superiore
Mbyllja e një sezoni shihet ndryshe edhe si një moment kur bëhen bilancet dhe vihet në “sitë” gjithçka ka ndodhur. Përjashtim sa u përket bilanceve të një sezoni, nuk bën as ekipi i Elbasanit, i cili ishte edhe në debutim mes më të mirëve të futbollit shqiptar.

Në të dhënat që përcillen përgjatë një sezoni, vlejnë edhe minutat që kanë lojtarët në këmbët e tyre, të cilat tregojnë në njëfarë mënyre edhe për futbollistët që kanë dhënë më shumë kontribut në fushën e lojës. Në këtë mënyrë mësohet edhe se cilët kanë qenë më të preferuarit e dy trajnerëve, Roberto Bordin dhe Ivan Gvozdenoviç, të cilët drejtuan skuadrën e Elbasanit sezonin që sapo lamë pas.
FORMACIONI I MINUTAVE – “Panorama Sport” i ka bërë një vëzhgim kësaj situate, duke përllogaritur minutat e luajtura si në Kupë edhe kampionat, duke përzgjedhur edhe atë që njihet ndryshe si formacioni i minutave.
Kështu, porta i takon padyshim Razak Abalorës, i cili nga dita kur erdhi dhe deri kur pësoi dëmtimin e rëndë, luajti si titullar në të gjitha ndeshjet. Ai ka në këmbët e tij plot 2760 minuta. Në një mbrojtje me katër, ka vend për ata që kontribuuan më shumë, me Bledar Lilën në të djathtë dhe Emiljano Mustën majtas.
Duhet thënë se peqinasi ka qenë edhe lojtari me më shumë minuta në këmbët e tij, me plot 3428 minuta. Është i vetmi madje që ka luajtur mbi 3 mijë minuta këtë edicion, me asnjë tjetër që nuk e ka arritur këtë minutazh. Qendra e mbrojtjes i takon kapitenit Bruno Lulaj dhe Sigitas Olberkis. Madje, lituanezi është i vetmi në këtë formacion që ka zënë vend duke luajtur vetëm pas ardhjes në muajin janar, çka tregon se ka qenë një titullar stabël.
Ai në fakt është lojtari i fundit që plotëson 11-shen titullare, me plot 1673 minuta të luajtura mes Kupës dhe kampionatit nga janari deri në fund të sezonit. Nëse do të kishte ardhur që në merkaton e verës, ndoshta do të mbante rekordin e minutave në kampin verdheblu. Për të vijuar më pas me një mesfushë me tre lojtarë, në të cilën bëjnë pjesë Kristian Dros, Arsen Kasa dhe Kristi Qose. Kasa në shumë ndeshje nuk ka luajtur për shkak dëmtimi, por gjithsesi ia del që të mundë shokët e tij që nuk kanë pasur probleme me dëmtimet. Në sulm është Blaise Tsague me më shumë minuta, i mbështetur nga Xhonatan Lajthia dhe Ze Gomesh, të cilët luajnë nga krahët e repartit ofensiv.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













