VËZHGIMI/ Partizani si autobus linje, 500 hyrje-dalje. Edhe trajnerin e ndërruan 24 herë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2025 | 13:40

VËZHGIMI/ Partizani si autobus linje, 500 hyrje-dalje. Edhe trajnerin e ndërruan 24 herë

Të bësh futboll në Shqipëri, është gjithnjë një mision i vështirë. Ndoshta mund të kesh para për ca vite të mira, por gjithnjë në vendin tonë ka qenë e vështirë që një klub të ndërtojë cikle.PARTIZANINëse ndalemi te Partizani, klubi i kuq në çdo merkato ka qenë si një autobus që ndalet në stacion dhe hyjnë e dalin nga më shumë se 20 vetë. “Panorama Sport” ka bërë një vëzhgim për 13 sezonet e fundit, që nga rikthimi në elitë, sa u përket gjithë lëvizjeve të bëra. Bilanci tregon për një ekip pa stabilitet dhe pa projekte afatgjata.

484 LËVIZJE – Që nga viti 2013, te Partizani kanë hyrë 246 futbollistë dhe janë larguar plot 238. Rekordin e afrimeve e mban sezoni 2013- 2014, kur të kuqtë afronin në ekip në të dyja periudhat e merkatos plot 29 lojtarë, duke e bërë ekipin thuajse nga e para. Në atë sezon largoheshin plot 20 vetë, por rekordin e largimeve të kuqtë e regjistronin vite më vonë, në sezonin 2021-2022, kur mbyllej cikli i kampionëve dhe të gjithë largoheshin kryesisht në klube jashtë vendit. Atë sezon klubi u detyrua të bënte shumë lëvzje në hyrje, duke transferuar plot 26 futbollistë. Sezoni me lëvizjet më të pakta është ai 2020-2021, jo se kishin në plan ndonjë projekt ambicioz, por se merkatoja e verës së vitit 2021 qe bllokuar për shkak të një problematike të transferimit të Erald Çinarit. Në atë kohë, ekipi drejtohej nga Ilir Daja dhe ekipi bënte një sezon shumë të mirë, duke diskutuar titullin deri në javën e parafundit. Kjo ishte një shenjë që duhej të tregonte se ndryshimet e shumta nuk sillnin progres, por nuk është se tek të kuqtë e kuptoi kush këtë. Vetëm në sezonin e shkuar, 2024-2025, u bënë 40 lëvizje në total.05SEZONI AKTUAL – Ky edicion nuk u mbyll në mënyrën më të mirë, çka bën që në plan të jetë sërish një revolucion i zakonshëm, siç thuajse ka ndodhur në çdo vit. Deri më tani, vetëm në verë janë larguar zyrtarisht 5 lojtarë, teksa priten të paktën edhe dy të tjerë. Sa u përket afrimeve, ekipit të parë i janë bashkuar vetëm dy të rinj nga akademia, Elson Himallari dhe Dion Vata. Në plan janë edhe afrime të tjera, por deri më tani gjthçka ka mbetur pezull dhe merkatoja është në “ngërç”.

I VETMI – I vetmi “i mbijetuar” që nga sezoni 2013- 2014 është Alban Hoxha. Cërrikasi ishte ndër afrimet e para pas ngjitjes në Superiore dhe falë lidershipit, cilësisë dhe kontributit të madh të dhënë përgjatë këtyre viteve, ka arritur të qëndrojë ende në klub dhe të jetë ende i rëndësishëm brenda dhe jashtë terrenit të blertë. Me pak fjalë, probabiliteti për të qëndruar mbi 10 vite te Partizani është 1/246-ta, çka dëshmon edhe një herë vështirësinë për të pasur stabilitet dhe për të ndërtuar projekte afatgjata.

24 TRAJNERË – Lëvizjet kaq të mëdha të lojtarëve kanë shkuar paralel edhe me ato të trajnerëve. Partizani asnjëherë nuk i ka besuar një trajneri për të ndërtuar një cikël të ngjashëm me Shehin te Tirana apo Tetovën aktualisht tek Egnatia. Në pamje të parë, ky është vetëm një detaj, por në të vërtetë është një nga shkaqet kryesore pse Partizani nuk ka arritur të qëndrojë në fron gjatë kur ka korrur sukses. Sapo ka fituar, projekti është ndarë në mes. Në disa raste, problemet kanë ardhur nga jashtë fushës, në marrëdhënien drejtortrajner. Në 12 vite si president i Partizanit, Demi ka ndërruar trajnerin 24 herë, me një mesatare prej dy trajnerësh në sezon, jo e përshtatshme për një klub me pretendime gjithnjë madhore.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL