Vëzhgimi i “Panorama Sport”/ Superiorja ka inflacion lojtarësh, me 134 afrime dhe 78 largime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2025 | 15:20

Vëzhgimi i “Panorama Sport”/ Superiorja ka inflacion lojtarësh, me 134 afrime dhe 78 largime

Merkatoja e futbollit shqiptar po njeh vit pas viti gjallërim. Ajo reflekton jo vetëm rritjen e ambicieve të klubeve, por edhe një treg gjithnjë e më aktiv dhe të hapur ndaj afrimeve të reja. Të dhënat e fundit tregojnë një rritje të vazhdueshme të numrit të lojtarëve që kanë mbërritur në Shqipëri gjatë periudhës 2021-2025. Lëvizje me disa luhatje të lehta, por me një tendencë të qartë në rritje.

superiore-11-1

KRAHASIMI 2021-2025 – Në vitin 2021 u regjistruan vetëm 62 afrime, një shifër e ulët që lidhet drejtpërdrejt me vështirësitë ekonomike dhe pasojat e pandemisë, të cilat e ngadalësuan ndjeshëm tregun. Megjithatë, një vit më pas, panorama ndryshoi krejtësisht. Në 2022 numri i afrimeve u rrit në 118, duke treguar qartë ringritjen e merkatos shqiptare. Në 2023 pati një rënie të lehtë, me 97 lojtarë të ardhur, ndërsa kulmi arriti në vitin 2024, kur u regjistruan plot 136 afrime, shifra më e lartë e dekadës së fundit. Edhe 2025 duket se po e ndjek të njëjtin trend, me 134 lojtarë të regjistruar deri tani, duke lënë të kuptohet se ky vit mund të mbyllet me shifra shumë pranë rekordit të vitit të kaluar.

MERKATO MË AKTIVE – Këto shifra dëshmojnë për një klimë më dinamike në futbollin shqiptar. Klubet, sidomos ato që luftojnë për titullin dhe për pjesëmarrje në garat europiane, janë bërë më agresive në merkato, duke investuar për të përforcuar skuadrat. Përforcimet kanë ardhur si nga tregu i brendshëm, ashtu edhe nga tregjet e huaja, duke sjellë një përzierje më të madhe profilesh dhe eksperiencash.

CILËSIA APO SASIA – Edhe pse numrat tregojnë rritje të dukshme, dilema kryesore mbetet nëse këto afrime po përkthehen në rritje të cilësisë së kampionatit. Sepse, në fund të ditës, jo gjithmonë shifra të larta garantojnë përmirësim të nivelit të lojës. Megjithatë, një gjë është e qartë. Merkatoja shqiptare nuk është më e heshtura e viteve të shkuara. Ajo është bërë më e gjallë, më e hapur dhe më konkurruese, duke treguar se futbolli në vend po ecën drejt një faze të re zhvillimi.

LARGIMET – Merkatoja e futbollit shqiptar nuk karakterizohet vetëm nga afrimet, por edhe nga largimet e shumta të lojtarëve drejt tregjeve të tjera. Të dhënat e fundit për periudhën 2021-2025 tregojnë një rritje graduale të transferimeve dalëse, duke reflektuar si prirjen e klubeve për të shitur lojtarë, ashtu edhe ambicien e futbollistëve për të provuar nivele më të larta.

78 NË VITIN 2025 – Në vitin 2021 u regjistruan 67 largime nga kampionati shqiptar, një shifër që qëndroi pothuajse e njëjtë edhe në vitin pasardhës (65 në 2022). Nga 2023 e në vazhdim vihet re një ngjitje e lehtë, 68 largime në 2023, 70 në 2024 dhe një rritje më e theksuar këtë vit, ku janë regjistruar 78 largime, shifra më e lartë e pesë viteve të fundit.

TRENDI – Tregu i daljes është shndërruar në një burim të rëndësishëm për klubet shqiptare, të cilat gjithnjë e më shumë e shohin shitjen e lojtarëve si mundësi për të siguruar të ardhura. Shumë prej futbollistëve shqiptarë dhe të huaj që spikasin në Superiore po marrin rrugën drejt kampionateve më të forta në rajon e më gjerë, duke parë këtu një trampolinë për karrierën e tyre.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL