EKSKLUZIVE/ Ish-shefi i klubit, Erion Sqapi analizon rrugëtimin e skuadrës në Europë: Elbasani nuk dështoi, projekti vazhdon
Elbasani i dha fund aventurës europiane pas eliminimit me penallti nga BATE Borisov, por paraqitja e verdhebluve ka marrë vlerësime pozitive.

Për “Panorama Sport”, ish-shefi i klubit elbasanas, Erion Sqapi, analizon rrugëtimin e skuadrës në Conference League, merkaton e zhvilluar deri tani dhe objektivat për sezonin e ri. Sipas tij, eliminimi nuk duhet parë si dështim, pasi klubi vazhdon të ecë sipas një projekti që brenda pesë vitesh e ka çuar nga Kategoria e Tretë deri në arenën europiane.
EUROPA – Sqapi e konsideron eksperiencën europiane një hap të rëndësishëm në rritjen e klubit, duke theksuar se Elbasani ishte shumë pranë një kualifikimi historik. ”Mendoj se aventura europiane e AF Elbasanit duhet vlerësuar pozitivisht. Nuk duhet të harrojmë se ky është një klub që, në formatin e tij aktual, ka vetëm pesë vite jetë dhe, brenda një kohe kaq të shkurtër, ka kaluar nga Kategoria e Tretë deri në pjesëmarrjen në kupat e Europës. Kjo është një arritje që nuk ndodh shpesh në futbollin shqiptar dhe tregon se klubi ka ndërtuar një projekt serioz dhe të qëndrueshëm. Sigurisht, eliminimi ndaj BATE Borisov la keqardhje, sepse ishte një kundërshtar që mund të kalohej. Megjithatë, fakti që kualifikimi u vendos vetëm nga penalltitë tregon se diferencat ishin minimale. Kjo eksperiencë duhet të shërbejë si një mësim i vlefshëm për klubin, stafin teknik dhe lojtarët, pasi në arenën europiane çdo detaj bën diferencën.”
MERKATO – Në vijim, ish-drejtuesi ndalet te puna e bërë në merkato, duke vlerësuar afrimet, por edhe duke theksuar se skuadra ka ende nevojë për disa ndërhyrje për të qenë plotësisht konkurruese. ”Mendoj se AF Elbasani ka bërë lëvizje të mira dhe ka rritur cilësinë e skuadrës. Kanë ardhur futbollistë që mund të japin kontribut dhe e kanë ngritur nivelin e ekipit. Megjithatë, besoj se ka ende nevojë për një ose dy përforcime cilësore, kryesisht me lojtarë me eksperiencë, të cilët mund të bëjnë diferencën në momentet vendimtare dhe t’i japin ekipit më shumë stabilitet gjatë një sezoni të gjatë. Kampionati është shumë i fortë dhe një organikë e plotë do të jetë vendimtare.”
OBJEKTIVI – Sqapi beson se Elbasani ka potencialin për të qenë sërish një nga skuadrat protagoniste të Superiores, por kërkon që pritshmëritë të jenë të balancuara me realitetin e një kampionati që pritet të jetë shumë konkurrues. ”Superliga e këtij sezoni pritet të jetë ndër më konkurrueset e viteve të fundit. Egnatia, Dinamo, Vllaznia, Partizani, Tirana dhe Teuta kanë ndërtuar skuadra cilësore dhe çdo ndeshje do të jetë një sfidë. Pikërisht për këtë arsye, Elbasani duhet të ruajë balancën mes ambicies dhe realizmit. Besoj se AF Elbasani ka potencialin për të qenë një nga skuadrat protagoniste të kampionatit dhe për të luftuar me synimin për t’u rikthyer sërish në kupat e Europës. Nuk do të jetë e lehtë, por duke parë projektin, stabilitetin e klubit dhe investimet e bëra në vetëm pesë vite, kam bindjen se Elbasani do të vazhdojë të rritet. Ky klub ka treguar se çdo sezon ka hedhur një hap përpara dhe nuk shoh arsye pse të mos vazhdojë në të njëjtën rrugë”, përfundoi prononcimin e tij për “Panorama Sport” ishshefi i klubit verdheblu.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













