Kontraste të forta në Superioren 2025/2026! Tirana është ekipi më “fair play”, Egnatia “grindavecja”
Statistika e kartonëve të kuq në Kategorinë Superiore 2025/2026 nxjerr në pah një kontrast të madh mes dy skuadrave me objektiva dhe histori të ndryshme. Egnatias, kampiones në fuqi dhe një prej ekipeve më konkurruese të viteve të fundit, dhe Tiranës, klubit me më shumë tituj në futbollin shqiptar, por që po kalon një periudhë të vështirë.
Egnatia është skuadra me numrin më të lartë të kartonëve të kuq në sezonin 2025/2026, me 14 përjashtime, një shifër shumë më e lartë se çdo ekip tjetër i Superiores. Kjo tregon një skuadër me shumë intensitet në lojë, por edhe momente ku agresiviteti dhe presioni i madh në ndeshje kanë sjellë ndëshkime disiplinore. Për një ekip që në vitet e fundit është kthyer në forcë të rëndësishme të kampionatit dhe ka luftuar për objektiva madhorë, kjo statistikë është një pikë për t’u analizuar. Egnatia ka ndërtuar identitetin e saj mbi luftën, ritmin dhe konkurrueshmërinë, por numri i lartë i kartonëve të kuq tregon se menaxhimi emocional gjatë ndeshjeve mbetet një aspekt ku skuadra duhet të përmirësohet.
MË TË NDERSHMIT – Në anën tjetër, Tirana paraqet një situatë krejt ndryshe. Bardheblutë kanë regjistruar vetëm 1 karton të kuq, duke qenë ndër skuadrat më të disiplinuara në këtë aspekt. Megjithatë, kjo qetësi disiplinore nuk është shoqëruar domosdoshmërisht me rezultate pozitive, pasi problemet e Tiranës kanë qenë më shumë në performancë, vazhdimësi dhe ndërtimin e një skuadre konkurruese. Krahasimi mes dy klubeve tregon dy realitete të ndryshme.
Egnatia po përballet me sfidën e kontrollit të energjisë dhe agresivitetit të një skuadre që kërkon trofe, ndërsa Tirana ka nevojë të rikthejë nivelin sportiv dhe mentalitetin fitues që e ka karakterizuar historikisht. Nëse Egnatia duhet të ulë numrin e ndëshkimeve për të ruajtur më mirë lojtarët në ndeshjet vendimtare, Tirana duhet të gjejë mënyrën që disiplinën taktike ta shndërrojë në rezultate dhe stabilitet në fushë. Dy klube me profile të ndryshme, por me të njëjtin objektiv: të jenë protagonistë në elitën e futbollit shqiptar.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













