Vëzhgimi i “Panorama Sport”/ Koha kundër, pankina e Partizanit çalon që nga titulli i fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2025 | 9:05

Vëzhgimi i “Panorama Sport”/ Koha kundër, pankina e Partizanit çalon që nga titulli i fundit

Partizani ka kaluar një vit në tranzicion me trajnerët. Aleksandar Veselinoviç e nisi në krye, por zgjati vetëm dy muajt e parë. Më pas për rreth një muaj, drejtimin e skuadrës e pati ish-drejtori sportiv, Arbër Abilaliaj.

zekic murinjo

Më tej u zyrtarizua Skënder Gega, që rezistoi rreth katër muaj. Radha e Mladen Milinkoviç erdhi në gusht, ndërsa pati vetëm dy muaj në dispozicion. Tashmë në krye qëndron Oltijon Kërnaja, i cili është prezantuar si trajner nga seanca stërvitore. Deri tani rezulton më tepër se një muaj për të në krye. Duke pasur parasysh se vetëm gjatë vitit 2025 është ndërruar trajneri plot pesë herë, “Panorama Sport” ka vëzhguar situatën nga sezoni i fundit që përkon me titullin kampion. Bëhet fjalë për edicionin 2022/23.

FITIMI I TITULLIT- Partizani me Xhovani Kolelën përjetoi një edicion të plotë. U fitua titulli kampion, ndërsa më pas erdhi largimi që ishte zgjedhje e vetë italianit. Kolela shoqëroi ish-drejtorin sportiv Elton Marini, që u shkarkua nga Partizani. Të kuqtë prej atëherë janë drejtuar nga disa trajnerë të ndryshëm. Zekiç, Abilaliaj, Shehi, Veselinoviç, Gega, Milinkoviç dhe së fundmi Kërnaja. Shtatë emra në më pak se tre vite janë shumë, për një klub që pretendonte të niste cikël pas fitimit të titullit kampion.

ABILALIAJ- Ish-drejtori sportiv, Abialiaj, ishte një rast i veçantë te Partizani. Më shumë se dy vite për të si drejtor sportiv, ndërsa gjatë kësaj kohe duhet duhet të bënte disa herë rolin e trajnerit. Partizani fitoi vetëm një trofe me të, pikërisht Superkupën e Shqipërisë. Dhe në sfidën finale me Egnatian, ishte Abilaliaj që drejtoi Partizanin nga pankina.

MESATARJA- Nga vëzhgimi i “Panorama Sport”, rezulton se një trajner i Partizanit ka qëndruar mesatarisht rreth 115 ditë në krye. Dhe pse Partizani i është afruar titullit kampion, duke qenë dy herë pjesë e “Final Four”, ndryshimi i trajnerëve tregon për mungesën e stabilitetit. Më pak se katër muaj në dispozicion mesatarisht, janë bërë pengesë për këdo në nisjen e ciklit. Shembujt aktualë në Superiore për besimin te trajneri vijnë nga Egnatia me Edlir Tetovën në krye, më pas Arjan Bellaj te Vora apo Ilir Daja i Dinamos. Pjesa tjetër përgjithësisht është përshtatur me të njëjtat probleme si Partizani. Mesatarja e nxjerrë në pah është deri në periudhën me Milinkoviç në krye.

KËRNAJA- Te Partizani është trajner Kërnaja, që drejton po ashtu ekipin B. Rast i paprecedentë për të kuqtë, që për 43 ditë(deri sot) i njëjti trajner të ketë dy përgjegjësi. Përpara për të është testi me Vllazninë. Morali është më i lartë se më parë, për shkak të fitores me përmbysje ndaj Teutës.

Screenshot 2025-11-18 090422

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL