Udhëtim i lodhshëm përballë milionerëve, Dinamon e pret një mision i vështirë në Ligën e Konferencës
Dinamo e nis rrugëtimin e saj në Europë në turin e parë të Ligës së Konferencës, me një short i cili nuk ka qenë aspak i thjeshtë për skuadrën e drejtuar nga Ilir Daja.

Shorti i ka vendosur në turin e parë përballë ekipit të Astanës të Kazakistanit, që është një rival me të vërtetë i komplikuar për cilësinë që ka në përbërje, por edhe për faktin se klubi në fjalë është në pronësi të një fondi investimi që zotëron pjesën më të madhe të kompanive gjigande të industrisë në këtë vend.
Klubi në fjalë, i krijuar vetëm 17 vite më parë, ka fituar 7 tituj kampion, të fundit në vitin 2022, ndërsa prej disa sezonesh po kërkon të kthehet përsëri në majë. Problemi i madh me të cilin përballet Dinamo, përveç të tjerash është se aktualisht kjo skuadër është në mes të kampionatit, ndaj në një formë më të mirë sportive. Pas 13 ndeshjesh të luajtura, Astana është në vendin e katërt me 22 pikë, 9 larg Ordabasit kryesues.
Ndërse në kampionat nuk ka marrë vendin e parë, në këto vite Astana ka spikatur shpesh në Europë dhe në sezonin 2024-2025, ia doli që të shkonte në fazën në grupe të Ligës së Konferencës.
Me pak fjalë, për Dinamon ky mund të jetë një nga shortet më të këqij të mundshëm, duke llogaritur emrin e kundërshtarit, por edhe distancën e largët të udhëtimit të lodhshëm drejt Kazakistanit.
PANORAMASPORT.AL













