Përballja ndaj moldavëve, një nga liderët e Egnatias ka luajtur edhe më parë kundër Petrokub
Skuadra e Egnatias do të përballet në muajin korrik në turin e parë të Ligës së Kampioneve me ekipin moldav të Petrokub Hinçeshti. Një kundërshtar që ka filluar të bëjë hapa të rëndësishëm në Europë në vitet e fundit dhe që në rrugëtimin e tij është përballur edhe më një futbollist i cili aktualisht është pjesë e ekipit rrogozhinas.

Në sezonin 2022-2023 të Ligës së Konferencës, Petrokub u ndesh me skuadrën e Laçit në turin e dytë të aktivitetit. Ndeshja e parë u luajt në stadiumin e Kishinau në Moldavi dhe u mbyll me barazimin 0-0.
Ndeshja e dytë u zhvillua në “Elbasan Arena” dhe aty skuadra e Laçit, edhe pse kaloi e para në avantazh me Mazrekajn, u përmbys nga katër gola në pjesën e dytë me moldavët që u kualifikuan falë suksesit 4-1.
Në të dy ndeshjet, portën e Laçit e mbrojti një prej liderëve aktualë të skuadrës së Egnatias, Mario Dajsinani, i cili që nga viti 2025 është kthyer në titullarin e rrogozhinasve duke fituar me ta dy tituj kampion radhazi.
PANORAMASPORT.AL













