Nuk kanë fund telashet për Vllazninë, pas FIFA-s i bëhet makth edhe FSHF për çështje borxhesh disavjeçare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2026 | 17:47

Nuk kanë fund telashet për Vllazninë, pas FIFA-s i bëhet makth edhe FSHF për çështje borxhesh disavjeçare

Vllaznia në ditët e fundit ka nisur të zyrtarizojë rinovime kontratash dhe afrimet e para të merkatos së verës. Por paradoksi qëndron se shkodranët bëjnë afrime dhe kontrata të reja, ndërkohë që kanë detyrime të papaguara ndaj ish-lojtarëve të tyre dhe kanë merkaton e bllokuar nga FIFA aktualisht për disa çështje të tilla.

latifi - vllaznia

Sikur të mos mjaftonte kjo, tashmë në lojë ka hyrë edhe FSHF, e cila ka paralajmëruar klubin shkodran për masa nëse nuk shlyen detyrimet ndaj një ish-futbollisti që ka fituar gjyqet me të në Dhomën Kombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve.

FSHF, nëpërmjet vendimeve të Komisionit të Disiplinës, i ka dhënë afat 30 ditor shkodranëve për të paguar ish-lojtarin Liridon Latifi, i larguar nga kuqeblutë në verën e vitit 2023. “Pranimin e kërkesës së kërkuesit Liridon Latifi. Klubi i Futbollit Vllaznia, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 08, datë 11.06.2025 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve, në bazë të nenit 29/1/b të KDE, Klubit të Futbollit Vllaznia i jepet një afat paralajmërues prej 30 (tridhjetë) ditësh për të ekzekutuar vendimin”, shkruhet në vendimin e sotëm të Disiplinës.

Me sa duket shkodranët prej tre vitesh nuk kanë paguar shuma që i detyrohen lojtarit i cili tashmë ka fituar gjyqin në FSHF. Nëse shkodranët nuk paguajnë, atëherë edhe FSHF nuk do të pranojë më regjistrimin e lojtarëve të rinj nga ata derisa të shlyhet kjo pagesë apo palët të gjejnë një akord, sipas rregullores.

E.KUKA-PANORAMASPORT.AL