Vëzhgimi i “Panorama Sport”/ Futbolli në 12 Qarqe, si ndahet në Shqipëri
Shqipëria është një shtet i ndarë në 12 Qarqe dhe 61 qytete, sipas reformës së fundit territoriale në vitin 2014. Sporti i saj popullor është futbolli, në të cilin thuajse luhet në të 28 mijë kilometrat katrorë të territorit që mbulon vendi ynë.

Çast nga një ndeshje mes Tiranës dhe Partizanit
“Panorama Sport” i ka bërë një vëzhgim futbollit në të 12 Qarqet e vendit, ato që dominojnë me skuadrat që përfaqësojnë dhe ato që “lëngojnë”. Aktualisht, në të gjitha nivelet e futbollist shqiptar, nga Abissnet Superiore dhe deri tek Kategoria e Tretë janë plot 61 skuadra, po aq sa qytete, por që nuk i përfaqësojnë të gjitha.
Sipas censusit të fundit, atij të vitit 2023, në vendin tonë banojnë 2 milion e 402 mijë e 113 banorë, e cila përkthehet ndryshe në 39 mijë e 37 banorë që përfaqësojnë një skuadër futbolli.
TIRANA – Është mëse e kuptueshme dhe e pritshme që Qarku i Tiranës do të kishte numrin më të madh të skuadrave në futboll. Tri ekipet legjendare të kryeqytetit, Tirana, Partizani dhe Dinamo përfaqësohen në elitën e futbollit shqiptar.
Kësaj tresheje i është shtuar vitet e fundit edhe Egnatia e Rrogozhinës, kampione në fuqi e kampionatit dhe Kupës, aktualisht edhe kryesuesja e Superligës. Ky Qark përfaqësohet në të gjitha nivelet e futbollit, teksa shpreson që vitin e ardhshëm të tjera skuadra t’i bashkohen Superiores, si Vora dhe Besa që pretendojnë ngjitjen mes më të mirave. Në total qarku i Tiranës ka 11 ekipe të rriturish që marrin pjesë në kampionatet e vendit.
DURRËSI – Tradicionalisht Qarku i Durrësit ekipin që personifikohet ka atë të Teutës që militon në Superiore. Nuk duhet harruar as Erzeni i Shijakut apo Kastrioti i Krujës që aktualisht janë në të Parën, por vitet e fundit kanë qenë pjesë e Superiores. Ky Qark ka plot pesë ekipe të regjistruara në kampionatet e vendit.
ELBASANI – Pas shumë vitesh edhe Qarku i Elbasanit do të ketë ekipin e vet si përfaqësues në futbollin elitar. Bëhet fjalë për ekipin e AF Elbasanit, të krijuar para disa vitesh. Aktualisht nuk ka asnjë skuadër që militon në të Parën, por janë katër ekipe pjesë e së Dytës: Shkumbini, Turbina, Gramshi dhe Sopoti, që përfaqësojnë katër qytete të këtij Qarku.
SHKODRA – Historikisht Shkodra është përfaqësuar me Vllazninë. Klubi më i vjetër i futbollit shqiptar që pak ditë më parë festoi edhe 106 vjetorin e krijimit. Ky Qark ka më pas edhe ekipe të tjera që militojnë në Kategorinë e Dytë dhe të Tretë, me disa skuadra të reja të krijuara vitet e fundit. Në total bëhet fjalë për shtatë ekipe që përfaqësojnë këtë qark.
VLORA – Bëhet fjalë për një Qark që prej vitesh nuk ka asnjë skuadër në elitë. Flamurtari ndodhet këtë sezon shumë pranë rikthimit mes më të mirave, teksa ka shumë sezone që e tenton. Ekipet e tjera militojnë në Kategorinë e Dytë, ndërsa në total janë gjashtë skuadra të këtij Qarku që marrin pjesë në kampionatet shqiptare.
FIERI – Qarkun e Fierit prej vitesh është duke e “nderuar” Bylisi që militon në Superiore. Në të Parën më pas janë Apolonia dhe Lushnja, por që as këtë sezon nuk i kanë gjërat në vijë për të tentuar ngjitjen në elitë. Nuk duhet harrur as Albpetroli i Patosit që ka shkuar në të Tretën, ndërsa Qarku përfaqësohet nga pesë ekipe.
KORÇA – Ky Qark ka Skënderbeun si skuadrën me të cilën është krenuar ndër vite, duke sjellë trofe të shumtë. Këtë sezon janë pjesë e elitës, por rrezikojnë sërish rënien në të Parën, aty ku aktualisht militon Pogradeci. Ka më pas edhe skuadra të tjera të traditës në nivele më të ulëta, ndërsa në total janë pesë ekipe pjesëmarrëse në kampionatet shqiptare.
LEZHA – Qarku i Lezhës përfaqësohet me vetëm dy ekipe në futbollin shqiptar. Laçin e bashkisë së Kurbinit që prej vitesh është pjesë e elitës dhe Besëlidhjes që përfaqëson qytetin e Lezhës. Sot, ky ekip i traditës lëngon në Kategorinë e Dytë dhe shumë larg lavdisë së dikurshme.
BERATI – Qarku i Beratit ka një nga historitë më të dhimbshme të futbollit shqiptar, pasi nuk ka asnjë skuadër në Superiore dhe të Parën. Dy ekipet e traditës, Tomori dhe Naftëtari janë në të Dytën dhe me pak shanse për të bërë përpara. Përfaqësohen edhe me Osumin dhe Skraparin në të Tretën.
GJIROKASTRA – Edhe qarku i Gjirokastrës është një shëmbëlltyrë e Beratit, me asnjë skuadër në dy nivelet më të larta të futbollit shqiptar. Luftëtari është pjesë e së Dytës, më pas katër skuadrat e tjera si Këlcyra, Memaliaj, Përmeti dhe Tepelena plotësojnë pesë ekipet që përfaqësojnë këtë qark në futbollin shqiptar.
KUKËSI – Qarku i Kukësit është i përfaqësuar me vetëm dy ekipe në futbollin shqiptar, që të dyja pjesë e së Parës. Bëhet fjalë për Kukësin që ra nga elita pas më shumë se një dekadë dhe Valbona që u ngjit në të Parën sezonin e kaluar. Të dyja nuk i kanë punët mirë, sepse luftojnë me njëra – tjetrën kush do të mbijetojë në këtë kategori.
DIBRA – Qarku i Dibrës përfaqësohet nga katër skuadra, ku aktualisht ekipi i Burrelit është ai që mban renditjen më të mirë, si pjesë e së Parës. Më pas vijnë Korabi që dikur ka milituar edhe në Superiore si edhe Bulqiza me Klosin që janë në kategori edhe më të ulët.




VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













