Vëzhgimi i “Panorama Sport”/ Bilanci pas rikthimit, askush nuk e mund Partizanin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2025 | 20:35

Vëzhgimi i “Panorama Sport”/ Bilanci pas rikthimit, askush nuk e mund Partizanin (E PLOTË)

Partizani është i njo hur si klubi i vetëm me bilanc pozitiv, përballë çdo rivali në Shqipëri. “Demat” e kanë ruajtur këtë shkëlqim edhe pas rikthimit në elitë. Kjo tregohet edhe në vëzhgimin e “Panorama Sport”, ku përfshihen 29 skuadra, me të cilat Partizani ka luajtur në kampionat dhe Kupë.

partizani

Kështu, në 12 vite janë klubi i vetëm me bilanc pozitiv kundër çdo ekipi. Skënderbeu ishte “macja e zezë” e Partizanit, ndërsa nga ky sezon bilanci mes dy skuadrave flet në favor të kryeqytetasve. Ndërkohë, ndaj korçarëve mbetet golavarazhi i vetëm negativ.

TË PREFERUARIT – Në turet e para të Kupës së Shqipërisë, Partizani ka rekorde të pastra me disa skuadra. Kështu, në takimet përballë Besës, Ilirisë, Naftëtarit, Pogradecit, Vorës dhe Kevitanit, ka numëruar vetëm fitore. Me 25 fitore ndaj Teutës dhe 24 kundër Kukësit, këto kundërshtarë mund të quhen ata që kanë sjellë më tepër pikë.

VËSHTIRËSITË – Partizani në anën tjetër ka disa skuadra, me të cilat ka pasur vështirësi. Kështu, pavarësisht bilancit në favor, ndaj Egnatias, Vllaznisë dhe Skënderbeut fitoret kanë qenë më të rrallat.

Screenshot 2025-06-07 123513

RIVALËT E TROFEVE – Dhe pse statistikat flasin në favor të Partizanit, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për trofetë. Dy kampionate dhe dy Superkupa mund të konsiderohen pak në krahasim me rivalët. Skënderbeu vazhdon të mbetet kryefjalë për trofetë. Nga rikthimi i Partizanit numëron 4 tituj kampionë, dy Superkupa dhe një Kupë.

Egnatia me vetëm katër sezone aktivitet në elitë ia ka dalë të fitojë dy kampionate, dy Kupa dhe një Superkupë. Tirana është tjetër emër, që pavarësisht vështirësive ka fituar dy tituj, një Kupë dhe një Superkupë. Kukësi i periudhës së artë ka fituar një titull, dy Kupa dhe një Superkupë. Teuta është po ashtu klub që pa zhurmë ka fituar një titull kampion, një Kupë dhe dy Superkupa.

MUNGESA E KUPËS – Partizanit i mungon trofeu i dytë më i rëndësishëm në Shqipëri prej 20 vitesh. Pas rikthimit të “demave”, disa klube që nuk kanë fituar titullin ia kanë dalë të fitojnë Kupën. Flamurtari, Laçi dhe Dinamo fituan nga një herë, ndërsa Vllaznia numëron dy trofe pas vitit 2020.

EUROPA – Partizani ka aktualisht renditjen më të mirë nga kampionati shqiptar në renditjen e UEFA-s. Aktualisht mban vendin e 238-të, ndërsa Tirana është ndjekësja më e afërt në vendin e 241. Si klub nga elita, bie në sy se Superiorja ka ndryshuar gjithmonë skuadrat me përjashtim të Partizanit dhe Teutës nga viti 2013.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL