VËZHGIMI/ Bilanci i vitit 2023, Partizani arkëton mbi 4.2 milionë euro në total. Ja detajet financiare (E PLOTË)
Në vitet e fundit Partizani është një nga klubet më të suksesshëm jo vetëm nga ana sportive, por edhe sa i përket funksionimit në aspektin ekonomik.

Klubi i kuq ka arritur të bëjë shitje mjaft të mëdha, që e kanë forcuar apo konsoliduar financiarisht aq sa për të justifikuar shpenzimet, por edhe për të nxjerrë fitime. “Panorama Sport” i ka bërë një vëzhgim bilancit të zbardhur nga klubi për vitin 2023.
Ky vit ndryshe nga tre paraardhësit ka qenë me bilanc pozitiv për klubin e kuq, ndikuar edhe nga fakti se nuk ka pasur shpenzime për stadiumin dhe kompleksin në tërësi. Partizani ka deklaruar në QKB (Qendra Kombëtare e Biznesit) një fitim prej 96.7 milionë lekësh të reja, përafërsisht 1 milionë euro.
TË ARDHURAT – Shitjet e lojtarëve kanë sjellë të ardhurat më të mëdha përgjatë vitit 2023. Kujtojmë që në këtë vit është shitur Xhuliano Skuka për 1.4 milionë euro (afro 140 milionë lekë). Kjo shitje përbën shifrën më të madhe të të ardhurave nga transferimet e lojtarëve, shto këtu edhe shitjet e Bitrit dhe Matondos, që rezulton të jenë deklaruar nga klubi për afro 40 milionë lekë (400 mijë euro). Në vendin e dytë për të ardhurat është eksperienca në kompeticionet e UEFA-s, ku nën drejtimin e Zoran Zekiçit, skuadra mbërriti deri në “play off” të Ligës së Konferencës, duke u eliminuar më pas nga kazakët e Astanës. Nga kjo eksperiencë në kompeticionet e UEFA-s Partizani ka arritur të arkëtojë 156.8 milionë lekë (1.6 milionë euro), një shifër e madhe për nivelet e futbollit tonë. Dy të lartpërmendurit kanë rezultuar të jenë dy burimet më të mëdha të Partizanit në vitin financiar 2023. Më pas vijnë fitimet nga biletat, nga të cilat janë arkëtuar 24.6 milionë lekë (246 mijë euro), me derbet kundër Tiranës, që mbajnë peshën më të madhe të këtyre arkëtimeve. Klubi i kuq ka arkëtuar edhe rreth 20 milionë lekë (200 mijë euro) nga fondi i solidaritetit që UEFA shpërndan për të gjithë klubet. Shifra kuptimplota janë regjistruar edhe nga e drejta televizive dhe premio e titullit që jepet nga FSHF-ja.
TOTALE – Nëse do t’i mbledhim të gjitha të ardhurat e Partizanit për vitin 2023, të kuqtë kanë arritur të sigurojnë plot 423 milionë lekë (4.2 milionë euro), që është një shifër mjaft e madhe dhe që me siguri i ka dhënë një ndihmë kolosale klubit në funksionimin e shëndetshëm financiar në vijim. Sipas këtij bilanci, me një llogari të thjeshtë, në vitin 2023 Partizani ka pasur një total shpenzimesh prej plot 3.26 milionë eurosh, duke përfshirë harxhimet për hotelin, pagat, bazën materiale, akomodimin në Tiranë dhe në transferta, fluturimet, blerjet dhe çdo gjë tjetër të nevojshme për një klub futbolli. Pjesa tjetër prej afro 97 milionësh është fitim neto.
TRENDI – Ai 2023 me siguri ka qenë viti kampion sa i përket të ardhurave për Partizanin. Në asnjë sezon tjetër të kuqtë nuk kanë pasur kaq shitje dhe të kenë avancuar kaq shumë në Europë njëkohësisht. Por “Demat” nuk kanë mundur ta ruajnë këtë trend, pasi 2024-a nuk qe vit aq i frytshëm sa i përket sukseseve brenda dhe jashtë fushës. Edhe në këtë sezon skuadra po vuan sportivisht, por në janar klubi bëri shitje të mëdha, që me siguri i kanë dhënë një ndihmë të konsiderueshme nga ana financiare.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL













