“Vetëm 2-3 futbollistë nga vjet mund të qëndrojnë”, Haxhiu: Flamurtarin e dua me trajner vlonjat
Në një kohë kur në Vlorë është hapur ankandi për trajnerin e ri, Saimir Haxhiu dëshiron që tekniku i ardhshëm të jetë vlonjat. Ai mendon se Gentian Mezani, Eqerem Memushi dhe Gerd Haxhiu nuk janë nën nivelin e emrave që janë përmendur këto ditë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Haxhiu, duket folur për merkaton, sugjeron futbollistë cilësorë nga jashtë kampionatit shqiptar.

Ndërsa blerjen e Roshit apo Bregut do ta krahasonte me Modriç te Milani. Ish-futbollisti vlonjat nuk habitet kur dëgjon për bashkëpunim të Flamurtarit ne Gallatasarajn apo Milanin, pasi siç thotë: “Një Sinan ‘i çmendur’ po na bën të ëndërrojmë, por duke e njohur Idrizin nuk habitem”.
Haxhiu, Flamurtari është pa trajner dhe janë disa emra që po qarkullojnë. Si duhet të jetë tekniku i ri?
Në gjykimin tim, Flamurtari ka gjithë të drejtën, nisur edhe nga fakti që sapo u ngjit në Superiore, që ta mendojë mirë ndërtimin e një ekipi elitar. Presidenti Idrizi është i destinuar të rikthejë një Flamurtar pretendent. Me Sinanin u mësuam tashmë, që e fut dorën thellë në xhep. Nuk dua të futem në emra trajnerësh, por do preferoja vlonjat. Mezanin, Memushin apo Gerdin, nuk i shoh nën nivelin e emrave që janë përmendur këto ditë. E rëndësishme është të ketë “kimi” midis gjithë aktorëve, të cilët do të ndërtojnë skuadrën.
Idrizi nuk i besoi projektin e Superiores Pollozhanit, e shikoni një vendim të drejtë?
Pollozhanin nuk e shoh jashtë projektit të ndërtimit të skuadrës. Fakti që ka rolin e drejtorit sportiv e shoh të vlerësuar nga presidenti. Drejtori e njeh mirë ambientin dhe do të jetë në themelet e formimit të ekipit. Me emërimin e trajnerit do konfirmonin lojtarët e piketuar, por edhe çfarë trajneri sjell me vete.
Çfarë do të sugjeronit për merkaton e verës?
Unë do të sugjeroja futbollistë cilësorë nga jashtë vendit. Nuk më pëlqen qarkullimi i lojtarëve nëpër skuadra. Vetëm për ndonjë të veçantë, por pa bërë sakrificë financiare.
Ndonjë dëshirë konkrete keni?
Blerjen e Roshit apo Bregut do ta krahasoja me Modriç te Milani.
Cilët lojtarë duhet të qëndrojnë nga grupi që mbylli sezonin?
Presidenti me Pollozhanin besoj kanë kaluar në filtër rendimentin e lojtarëve që mbyllën sezonin. Vetëm 2-3 prej tyre, në gjykimin tim, mund të luajnë nga fillimi në Superiore.
Si i komentoni ju lajmet se Flamurtari do të bashkëpunojë më Gallatasarajn dhe Milanin?
Kur i dëgjoja nga goja e Idrizit këto deklarata si vlonjat, por edhe njeri i sportit thashë: Një Sinan “i çmendur” po na bën të ëndërrojmë, por duke e njohur Idrizin nuk habitem. Milani na erdhi shumë pranë, në fakt, nëpërmjet Igli Tares dhe nuk është çudi edhe Gallatasaraj për hir të konfidencave të Idrizit.
Idrizi ka nisur të realizojë disa investime në stadium. Si i shikoni?
Presidenti po na mëson me aromë Superioreje. Korrektësia ndaj lojtarëve në pagesa, masat për ndërtimin e skuadrës siç meriton ky nivel, investimet në infrastrukturë janë lëvizje të një presidenti që i ka të qarta objektivat e veta. Ne presim Flamurtarin e madh ashtu siç e meritojmë.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL













