Vështirësitë e Flamurtarit, Sokol Kushta nuk kursen Garsian: Pse merr lojtarë pushimesh?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2025 | 8:47

Vështirësitë e Flamurtarit, Sokol Kushta nuk kursen Garsian: Pse merr lojtarë pushimesh?

Sokol Kushta mendon se trajneri Karlos Garsia duhet që të tregohej më diplomat në nisjen e aventurës në Vlorë. Legjenda e futbollit vlonjat thotë se në prononcimin e dhënë pas ndeshjes me Bylisin, tekniku spanjoll nuk duhej që të shprehej se disa lojtarë i kanë ardhur pa përgatitje fizike. Sipas Kushtës, skuadra i kishte të gjitha mundësitë për të rikuperuar gjithçka gjatë fazës përgatitore të zhvilluar në Turqi.

sokol kushta

“Në ndeshjen e parë trajneri Karlos Garsia të paktën duhet që të ishte pak diplomat. Ai tha një shprehje: ‘Unë shumë lojtarë i kam që nuk kanë luajtur’. Ata ishin një muaj në Turqi. Kishin të gjithë kohën në dispozicion. Një muaj është gjëja më ideale. Ata që janë sportistë e dinë që të bësh një muaj fazë përgatitore, ekipi duhet të jetë i formuar, i stërvitur.

Por a bën sens në futboll një lojtar që ka një vit që nuk ka luajtur dhe të vijë të luajë? Ose dy vjet pa luajtur dhe të vijë të luaj në Superiore, kur dihet që futbolli shqiptar është shumë fizik. Po ti ndeshjen e parë të thuash që 3 brenda një jave do të luajë Dinamo. Të dielën përballet me Elbasanin, më pas Teutën në datën 17 shtator dhe fundjavën e ardhshme takime pret Bylisin. 6-7 lojtarë unë i kam kot…Me të drejtë unë pyes trajnerin që thotë se janë kot. Përse i pranoi ai? Ka menaxher që bëjnë kontratat, bëjnë blerjet.

Pse i kanë sjell kot? Gjithmonë sikundër është shprehur Garsia. Presidenti që paguan, i paguan kot? Këto nuk janë pikëpyetje, këto janë reale deri tani. Unë kam qenë pak në Vlorë, pasi kam qenë me pushime dhe dëgjoja ato që shkruanin gazetarët. U futa në internet pasi sot është shumë e thjeshtë që të gjesh një njeri. Në momentin që unë pashë shumë lojtarë që nuk kishin luajtur, atëherë formova, apo fillova që të krijoja mendimin tim. Nuk më duhej shumë kohë”, shprehet fillimisht Kushta.

NDRYSHIMI – Sokol Kushta është i mendimit se situata mund të ndryshojë. Sipas legjendës së futbollit vlonjat gjithçka e kanë në dorë vetë lojtarët. “Situata patjetër që mund të ndryshojë. Ne nuk kemi ylberin që ta kalojmë dhe të bëhemi gjini tjetër. Ne themi çfarë shikojmë deri tani, për këto po flasim. Ata e kanë vetë në dorë që të ndryshojnë”, përfundon Kushta.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL