Verdiktet e sezonit, dramë me rëniet dhe rikthime në Superiore
Sezoni 2024-2025 i Superiores ka përfunduar dhe të gjitha verdiktet janë vendosur në vendin e tyre.

Egnatia ka mbrojtur titullin kampion për të dytin vit radhazi, duke e bërë veten liderin e futbollit shqiptar, ndërsa Dinamo, pas një periudhe të gjatë mungese, ka rikthyer lavdinë e saj duke siguruar një biletë për në Europë. Partizani, edhe pse kaloi vështirësi të mëdha pas shitjes së lojtarëve, ka mbajtur vendin e katërt, ndërsa Laçi dhe Skënderbeu kanë përfunduar sezonin me rënien nga Superiore. Në anën tjetër, Vora dhe Flamurtari kanë shënuar sukses duke ngjitur nivelet dhe u rikthyer në elitën e futbollit shqiptar.
KAMPIONËT– Egnatia ka shkruar një kapitull të ri në historinë e futbollit shqiptar, duke siguruar titullin kampion për të dytin vit radhazi. Skuadra nga Rrogozhina ka arritur të mbrojë fronin e saj, duke pasur një sezon të shkëlqyer që e bëri të pamundur për ekipet e tjera që të luftonin për të kapur këtë sukses. Me një grup lojtarësh të shkëlqyer dhe një trajner që ka ditur të menaxhojë tensionet dhe sfidat, Egnatia ka arritur të ruajë titullin, duke mbetur superiore ndaj ekipeve si Partizani, Vllaznia dhe Dinamo. Ky triumf e çon Egnatian në kualifikueset e Ligës së Kampioneve, një mundësi historike për ekipin dhe për futbollin shqiptar.
NË EUROPË- Ky është një vit i suksesshëm deri diku për Vllazninë, Dinamon dhe Partizanin, që kanë siguruar vendet e tyre në kualifikueset e Ligës së Konferencës të UEFA-s. Një ngjarje madhore është rikthimi i Dinamos në Europë, pas shumë vitesh mungesë. Skuadra nga kryeqyteti ka realizuar një sezon të shkëlqyer, duke siguruar një nga vendet që e çon në kualifikueset e Ligës së Konferencës. Ky është një moment i veçantë për Dinamon, e cila ka kaluar disa periudha të vështira në vitet e fundit. Pas një periudhe të gjatë larg kompeticioneve europiane, Dinamo ka rikthyer veten në një nivel të lartë, duke përfituar nga përforcimet dhe një performancë të fortë gjatë sezonit. Vllaznia ka realizuar një sezon të fortë, duke iu afruar shumë titullit kampion. Shkodranët kanë luftuar gjatë gjithë kampionatit, ndërsa tani duhet të mjaftohen me një biletë europiane. Në sezonet e fundit ekipi ka pasur stabilitet duke arritur 5 herë radhazi pjesëmarrjen në turet kualifikuese të Europës. Partizani, edhe pse kishte një sezon të vështirë, ka gjetur forca për të mbyllur kampionatin me një renditje të tillë që e dërgon në Europë. Ky triumf për këto ekipe është i rëndësishëm jo vetëm për prestigjin e tyre, por gjithashtu për mundësitë që do të krijohen për lojtarët dhe për zhvillimin e futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
MBIJETON– Për Tiranën, skuadrën më të titulluar në historinë e futbollit shqiptar, sezoni 2024-2025 ishte një prej më të vështirëve. Pa stadium, me probleme të mëdha organizative dhe mungesë stabiliteti në drejtim, bardheblutë përfunduan sezonin në kufijtë e mbijetesës. U desh një ndeshje “play out” ndaj Pogradecit, për të siguruar qëndrimin në elitë, në një përballje delikate që tregoi krizën e thellë që po kalon klubi. Mbijetesa në Superiore ishte më shumë një lehtësim sesa sukses, ndërsa sfidat për të ndërtuar një projekt të qëndrueshëm për të ardhmen mbeten të mëdha.
RRËZOHEN- Laçi, që prej vitit 2009 nuk kishte përjetuar rënien nga kategoria, u tregua i pafuqishëm për të përballuar garën e këtij sezoni. Kurbinasit, që për vite me radhë kanë qenë një shembull stabiliteti në elitë, nuk arritën të gjenin ritmin dhe shpirtin konkurrues që i karakterizonte. Pavarësisht ndryshimeve të bëra në stol dhe grupin e lojtarëve, performanca e dobët dhe mungesa e rezultateve vendimtare i kushtuan rënien pas 15 sezonesh të pandërprera në Superiore. Në të njëjtën rrugë të hidhur u gjend edhe Skënderbeu, dikur simbol i dominimit në futbollin shqiptar. Korçarët janë larg ditëve të arta, kur fitonin tituj dhe përfaqësonin Shqipërinë me dinjitet në Europë. Sot, realiteti është ndryshe: përveç rënies në Kategorinë e Parë, klubi mbetet ende nën dënimin 10-vjeçar të UEFA-s për pjesëmarrje në kompeticionet europiane, nga të cilat i kanë mbetur edhe dy vite pezullim.
NGJITEN- Ndër verdiktet më emocionuese të këtij sezoni janë padyshim ato që vijnë nga Kategoria e Parë, ku dy klube kanë siguruar ngjitjen në elitë për sezonin 2025-2026: Flamurtari dhe Vora. Flamurtari, një nga emrat historikë të futbollit shqiptar, rikthehet në Superiore pas pesë vitesh mungesë. Sezoni aktual ka sjellë një kthesë pozitive: një projekt më i qartë, organizim më i mirë dhe një skuadër konkurruese që arriti ta mbyllë sezonin mes dy më të mirave. Rikthimi i Flamurtarit është lajm i mirë për futbollin shqiptar, që fiton jo vetëm një emër me peshë, por edhe një qytet me pasion të rrallë për futbollin. Nga ana tjetër, Vora bën historinë duke u ngjitur për herë të parë në Kategorinë Superiore. Ekipi i kryeqytetit ka bërë një sezon mbresëlënës, me një projekt të ndërtuar mbi entuziazmin, punën afatgjatë dhe përzgjedhjeve të mençura në merkato. Ngjitja e Vorës është dëshmi se futbolli shqiptar ka hapësirë për risi dhe se me punë e investim, edhe klubet më pak të njohura mund të kapin majat.
PANORAMASPORT.AL













