Valbonën e dënon një “ish”, Pogradeci fiton në limite dhe i gëzohet trepikëshit. Gega: Meritonim pikë, nuk dorëzohemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2025 | 18:34

Valbonën e dënon një “ish”, Pogradeci fiton në limite dhe i gëzohet trepikëshit. Gega: Meritonim pikë, nuk dorëzohemi

Pogradeci ia ka dalë të triumfoj në frymën e fundit në Tropojë, teksa ka fituar në shifrat 3-2. Ka qenë një gëzim i papërshkrueshëm për pogradecarët që e kanë vuajtur shumë këtë trepikësh, sepse kanë pasur një udhëtim të gjatë dhe me pengesa në kufirin Shqipëri-Kosovë.

VALB-POGRADEC

Valbona sërish mbetet e mallkuar në stadiumin e saj, pasi nuk fiton që ndeshja kundër Erzenit. Ka qenë një ndeshje spektakli, me 5 gola të shënuar, ku gjithçka u vulos nga një ish-lojtar i tropojanëve, Kevi Beberi, i cili në këtë merkato kaloi nga Valbona te liqenorët. Valbona mbetet sërish në rrezik, kurse Pogradeci lufton për zonën “play off”.

NDESHJA- Që në minutën e 7-të, Pogradeci kaloi në avantazh me anë të Arbri Pengu. Aksion i bukur personal, depërton në zonë dhe godet fuqishëm duke mposhtur portierin Hoxha. Në të 33-tën krosimi në zonë nga Aluku nxjerr qendërmbrojtësin tropojan, Lamçe të vetëm me Staniç dhe vjen goli i barazimit. E pafalshme është minuta e 38-të, ku Balla doli me portën bosh, godet, por lila me një rrëshqitje largoi topin që po i drejtohej kalimit të vijës fatale. 45 minutat e para u mbyllen në shifrat 1-1. Fraksioni i dytë prodhoi sulme e kundërsulme. Janë sërish miqtë që shënojnë të parët, ku në minutën e 48-të Alidema finalzion pasimin e marrë nga Pengu dhe mposhti portierin Hoxha me një të djathtë të fuqishme.

Pas rezultatit 1-2 loja ndizet dhe të dyja skuadrat janë në kërkim të golit, por janë tropojanët ata që barazojnë me një supergol të Krasniqit dhe 2-2. Më pas janë pogradecarët që këmbëngulin me Vokrrin dhe Pengun. Akordohen 6 minuta shtesë, Në sekondat e fundit të sfidës vjen fitorja e pogradecarëve me anë të Kevi Berberi, që ndëshkon ish-skuadrën që në ballafaqimin e parë si kundërshtar. Pas një rrëmuje ai gjendet përballë Hoxhës dhe me golin e tij entuziazmon liqenorët. Me me këtë fitore në limit, Pogradeci arriti të realizojë objektivin që i kishte vënë vetes.

 

VALBONA – POGRADECI 2-3

GOLAT: Lamçe 33’, Krasniqi 64’ / Pengu 7’, Alidema 48’, Berberi 90+6’

Valbona: Hoxha, Lala, Mashi, Farruku, Lamçe, Zeqiraj, Aluku, Uesli (Vidrica 89’), Laëal (Balla 76’), Llanaj (Kamilo 86’), Krasniqi;(Në dispozicion: Doçi, Françisco Artur, Rosaj). Trajner: Emiliano Gega

Pogradeci: Staniç, Pengu, Lila, Zaimi (Ivani 69’), Zguro, Sulejman, Kasmollari (Raza 66’), Berberi, Kazim (Vokrri 70’), Alidema, Panadiç (Beçka  83’); (Në dispozicion: Beqiri) Trajner: Ardian Mema

Kartonë të verdhë: Aluku 75’ / Berberi 62’

Gjyqtarë: S. Dyrmishi (Elbasan), Xh. Roshi, D. Shkëmbi (Tiranë)

Vëzhgues: Agron Kastrati (Shkodër)

Delegat: Skënder Avdyli (Lezhë)

 

Tropojanët

Gega: Meritonim pikë, nuk dorëzohemi

Emiliano Gega, drejtori dhe njëkohësisht trajner i Valbonës, pas humbjes së fundit, për “Panorama Sport” u shpreh: “Ne nuk mundëm të merrnim të paktën një pikë. Kështu e ka futbolli, edhe kur luan mirë, mbetet kapriçoz e nuk të jep pikën e dëshiruar. Skuadra ishte e motivuar dhe e kërkoi rezultatin. Lojtarët luajtën shkëlqyeshëm, përveç disa luhatjeve që u treguan në fazat e para të lojës. Për herë të parë dua të përgëzoj gjyqtarët, të cilët e kanë mbajtur mjaft mirë ndeshjen dhe nuk patëm asnjë kontestim ndaj tyre. Kjo humbje sikur na i ka venitur pak shpresat, gjithsesi ne nuk do të dorëzohemi derisa të na lejojë matematika dhe mundësitë tona deri në fund”.

 

Zv.trajneri Çerepi

“Na gëzon trepikëshi, jo loja e ekipit në Tropojë” 

Mes vështirësive dhe peripecive nga më të shumtat, Pogradeci ka arritur të marrë një fitore jetike në Tropojë. Trajneri i Pogradecit, Ardian Mema, ishte më i nervozuari prej lojës së skuadrës së tij dhe në fund të ndeshjes, kur u arrit goli i tretë i fitores, ai nuk duroi sa të binte vërshëllima e mbarimit, por u largua me shpejtësi. Për “Panorama Sport”, pas suksesit në Tropojë u prononcua zv.trajneri Kopi Çerepi, i cili deklaroi: “E kishim parashikuar si një ndeshje të vështirë, por jo që do na shkonte kaq keq. Edhe pse fituam, nuk jam i kënaqur nga loja e lojtarëve, sepse ne duhej ta zgjidhnim që në fillimi fitoren. Pogradeci synon vendin e 6-të, që të çon në katërshen e ekipeve të zonës ‘play off’. Na duhej kjo fitore, gjithsesi ne gëzohemi më shumë për tri pikët sesa për lojën tonë”.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL