Valbona vazhdon me trajnerin Kërnaja, ja misioni i ri i tropojanëve në Kategorinë e Dytë
Valbona kërkon rindërtimin e skuadrës, e cila në sezonin e ri ka si objektiv rikthimin në Kategorinë e Parë. Skuadra tropojane do të kërkojë futbollistë, që të jenë besnikë deri në fund të garës dhe jo sikurse ndodhi sezonin e shkuar, që e lanë misionin në mes të rrugës. Me këto ide, trajneri Kërnaja do ta drejtojë edhe këtë sezon Valbonën.

Ai e mori drejtimin e Valbonës në pjesën e dytë të kampionatit, kur çdo gjë kishte marrë fund dhe mbijetesa ishte mision i pamundur. Kjo u lehtësua nga largimi para kohe i disa futbollistëve. Megjithatë, vizita e tropojanëve në Kategorinë e Parë solli një përvojë për të qenë të aftë që rikthehen në këtë kategori. Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, trajneri Oltijon Kërnaja, që do të vijojë punën pranë kësaj skuadre edhe në Kategorinë e Dytë, shprehet se gjatë konsultimeve me presidencën tropojane, ka rënë dakord për ta drejtuar Valbonën. “Te Valbona vij pas konsultimeve edhe me presidencën, për një projekt ambicioz dhe afatgjatë. Synimet janë të mëdha, por ne do të largojmë vështirësitë një e nga një. Këtë sezon, objektiv madhor mbetet rikthimi në Kategorinë e Parë.
Më pas, gjithnjë sipas presidencës, do të mendohet që klubi të shkruajë historinë e tij për t’u ngjitur në elitë. Ky do të jetë një projekt afatgjatë, por ne do të përqendrohemi te puna e këtij sezoni. Së bashku, ne kemi konkluduar për pikat më kryesore për ndërtimin e një skuadre të re, me lojtarë besnikë, që ta përballojnë kampionatin deri në fund e të mos na lenë në ‘baltë’, siç na ndodhi sezonin e fundit. Valbona e re do të jetë me futbollistë cilësorë dhe me përvojë, të cilët dinë se si ringjitet ekipi. Duke qenë se kampionati do të nisë pas gjysmës së shtatorit, mendoj se është herët të flasim për emra futbollistësh”.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













