Valbona në krizë rezultatesh dhe pa lojtarë, një brazilian u jep zemër tropojanëve
Kur kanë mbetur edhe 7 javë nga fundi i kampionatit, te Valbona janë venitur shpresat e mbijetesës. Të dielën, tropojanët presin Korabin, ku është një mundësi për të hyrë sërish në valle, pasi matematikisht gjithçka është e mundur.

Në lidhje me këtë takim, braziliani, Françisko Artur, që te Valbona ka marrë rolin e kapitenit të larguar, Agustin Mashi, për “Panorama Sport” tha: “Korabin nuk e njoh mirë, pasi nuk kam luajtur kundër tyre. Unë erdha te Valbona në kohën që i kishte zhvilluar dy ndeshjet e para me Korabin. Do të përpiqemi të marrim pikë, madje ta fitojmë këtë sfidë.
Unë respektoj çdo kundërshtar, por jam i bindur se me përgatitjet maksimale që kemi bërë, tri pikët do të mbesin në Tropojë”. Edhe në këtë takim Valbona nuk do të jetë e plotë, pasi dihet se për shkak të largimeve të shumta pas ardhjes së trajnerit Kërnaja, organika është reduktuar në maksimum. Në ndeshjen e fundit në Kukës, Valbona pati vetëm një lojtar zëvendësues në stol.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL













