Valbona në delir pas triumfit me Kastriotin, Islamaj: Ia dalim edhe ndaj lushnjarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2025 | 23:43

Valbona në delir pas triumfit me Kastriotin, Islamaj: Ia dalim edhe ndaj lushnjarëve

Fitorja me Kastriotin ka bërë që Valbona të kalojë në delir, edhe pse skuadrës i kanë mbetur një portier dhe 11 futbollistë. Këta quhen heronj, pasi po mbajnë peshën e skuadrës në një nivel me kundërshtarë elitarë.

Valbani Korabi

Ata nuk do të dorëzohen deri në fund të kampionatit, edhe pse e dinë se në sezonin e ardhshëm do të luajnë në Kategorinë e Dytë. Tropojanët kërkojnë të japin maksimumin edhe në katër ndeshjet e mbetura. Të dielën, Valbona do të udhëtojë drejt Plugut, për t’u ndeshur me Lushnjën.

Në takimin kundër Kastriotit, sulmuesi Islamaj, ishte nga më të mirët në fushë dhe këtë ritëm kërkon ta mbajë edhe ndaj lushnjarëve. Lidhur me këtë takim, futbollisti i ardhur gjatë merkatos së janarit, Klajdi Islamaj, për “Panorama Sport” tha: “Në Lushnjë nuk shkojmë për shëtitje, por për të treguar aftësitë tona dhe për të treguar se nuk e kemi merituar kurrë zbritjen nga kategoria.

Do të japim maksimumin dhe do të pretendojmë që të mos dalim pa pikë nga Plugu. Optimizmi në ekip është i lartë, edhe pse kemi një ngarkesë të madhe për të përballuar të vetëm 90 minutat. Kemi besim të plotë te grupi i lojtarëve, ndaj shkojmë për sukses në Lushnjë”.

PANORAMASPORT.AL