Valbona mund Kastriotin, por bie matematikisht në të Dytën. Kërnaja: Lojtarët janë heronj të vërtetë
Valbona ka marrë një fitore dhe ka thyer edhe tersin e stadiumit. Kjo është fitorja e dytë, që tropojanët marrin në stadiumin “Vëllezërit Gega”, por që nuk mjafton, pasi edhe matematikisht kanë zbritur në Kategorinë e dytë. Valbona ka 12 pikë më pak se Kukësi, por duke ditur se kanë mbetur edhe 4 javë, por me bilanc më të dobët në përballjet me Kukësin, nuk ka asnjë shpresë për tropojanët.

Një pjesë e parë, që dominohet nga Valbona në 20 minutat e para deri në momentin kur u shënua goli nga tropojanët. Vendësit shpërthejnë fillimisht me anë të Islamajt në të 5-tën. Më pas është Vidrica që godet nga 16 metra, grushton bukur Lamellari. Tri minuta më pas, godet Balla, topi mbi traversë. Në të 13-ën, Mateli gjuan në hyrje të zonës, por topi shkon ngjitur me shtyllën pingule. Në të 20-ën vjen goli i parë për tropojanët. Vidrica gjuan, topi përplaset te Tota dhe Xhabafti godet dhe rrjetë, 1-0.
Më pas loja ekuilibrohet. Ka sulme e kundërsulme nga të dyja skuadrat, por golat mungojnë, sepse gjuajtjet drejt portave respektive janë të vakëta dhe 45 minutat e para mbyllen 1-0. Në fraksionin e dytë, loja thuajse i përket Valbonës. Kastrioti është inekzistent. Regjistrohet vetëm një gjuajtje në portë. Ndërkohë që Valbona krijon disa raste të tjera, derisa në të 82-tën fiton 11-metërsh nga Balla, që futet në zonë. Tota ndërhyn në mënyrë të parregullt dhe vjen karton i kuq për të. Nga pika e bardhë godet Mateli, që nuk fal dhe 2-0. Pesë minuta më pas, fitorja e Valbonës zbukurohet nga supergoli i Ballës me një gjuajtje nga 20 metra dhe gjithçka mbyllet në shifrat 3-0 për tropojanët.
VALBONA – KASTRIOTI 3-0
GOLAT: Xhabafti 20′, Mateli 82’p, Balla 87′
VALBONA: Domit, Rosaj, (Llanaj 76’) Doçi, Ëesley, Taka, Artur, Islamaj, Mateli, Bala, Habafti, Vidrica;(Në dispozicion: Kamilo). Trajner: Oltijon Kërnaja
KASTRIOTI: Jaupllari, Qyra, Zuna, Dosseh, Musaj, (Musaj 84′) Kuka (Pica 46′), Mosses (Xhafa 84′), Hodo, Berisha, Tota, Meçja;(Në dispozicion: Puja, Zhoao, Ajazi, Biba). Trajner: Klevis Hima
Kartonë të verdhë: Tota 31′
Karton i kuq: Tota 84’
Gjyqtarë: M. Koçi, A. Demiraku (Durrës), E. Cenaj (Tiranë), K. Sharing (Durrës)
Vëzhgues: Arben Molla (Tiranë)
Delegat: Brikeno Pjetrushi (Lezhë)
Trajneri
Kërnaja: Lojtarët janë heronj të vërtetë
Valbona po e mbyll me dinjitet sezonin, ndonëse dihet se nuk kanë asnjë mundësi shpëtimi. Oltijon Kërnaja, trajneri i Valbonës, pas fitores me Kastriotin, për “Panorama Sport” u shpreh: “Zhvilluam një nga ndeshjet më të mira, ashtu sikurse edhe në Fier, ku nuk konkretizuam. Sot (dje) patëm fatin, duke shënuar një fitore me tre gola. Djemtë po sakrifikojnë në maksimum, pasi jemi duke luajtur në një formacion krejtësisht të cunguar. Ata meritojnë të jenë heronjtë e vërtetë të kësaj ndeshje. Nuk di të veçoj, sepse të gjithë meritojnë lëvdata. Ne do të vazhdojmë të japim të tilla spektakle edhe në ndeshjet e mbetura, duke mos toleruar asnjë prej skuadrave kundërshtare”.
Golashënuesit
Balla dhe Mateli: Dominuam, fitore e bukur!
Denis Balla, autori i golit të tretë të Valbonës, pas ndeshjes u shpreh: “Bëmë një superndeshje. Jam i lumtur për atë supergol, që do mbetet gjatë në kujtesën time. Një dedikim të veçantë dua t’ia kushtoj shoferit tonë të ekipit, Kujtim Kortoçi. Shpresojmë të luajmë kështu deri në fund”. Ndërsa Arenc Mateli, autor i golit të dytë me penallti, por që dha edhe dy asiste, pas suksesit ndaj krutanëve, deklaroi. “Ishte një nga ndeshjet më të bukura. Dominuam gjatë gjithë takimit dhe arritëm një fitore të bukur e të pastër. Dua t’ua dedikoj tifozëve tropojanë, të cilët edhe në shi na përkrahën dhe na frymëzuan gjatë lojës”.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL













