Valbona-Kastrioti, ora 14:00/ Kërnaja: Luajmë të cunguar, kthehemi direkt në të Parën
Valbona do ta luajë sot, ora 14:00, në stadiumin “Vëllezërit Gega” të Tropojës, ku përballë do të ketë Kastriotin. E ndërsa Valbona luan lirshëm pa ndonjë objektiv madhor, presioni është te skuadra mike, që do të luftojë për tri pikët, aq shumë të domosdoshme për të mos kaluar në zonën “e ftohtë”.

Kështu që, pritet të jetë një duel i dyluftuar, pasi skuadra tropojane nuk do të lëshojë pe dhe do të kërkojnë ta mbyllin këtë sezon me dinjitet. Lidhur më këtë takim, trajneri Oltijon Kërnaja e cilëson si një përballje të vështirë, pasi kundërshtari gëzon cilësi më të mëdha se ekipi i tij. Edhe pse Valbona ka luajtur e cunguar në formacion, trajneri mendon se gjithçka do të shkojë mirë. “Si çdo përballje tjetër, edhe kjo ndeshje do të jetë e vështirë për ne, pasi luajmë me formacion të cunguar, ndërsa kundërshtari gëzon cilësi më të shumta se ekipi ynë. Dihen vështirësitë tona si ekip, pasi u bënë thuajse katër ndeshje që luajmë me një formacion të cunguar, megjithatë ne kemi bërë mirë. Jemi përballur si të barabartë me çdo kundërshtar. Djemtë e kanë shfrytëzuar ndërprerjen e kampionatit për të rigjeneruar forcat dhe po stërviten shumë mirë për të dhënë maksimumin.
Problemi i vetëm yni, në këtë grup të cunguar lojtarësh, është se disa prej tyre po luajmë të sforcuar, jashtë pozicioneve të tyre, në role të tjera që nuk i kanë provuar gjatë karrierës së tyre. Edhe kalendari ka qenë i ngjeshur dhe kanë luajtur 3 ndeshje në javë, që është e pa përballueshme për ekipin tonë. Ne nuk do të dorëzohemi deri në fund të sezonit. Do t’i përballojmë me sukses edhe këto 5 ndeshje të mbetura. Tashmë e gjithë vëmendja jonë është përqendruar për të formuar një skuadër të fortë dhe pretendente për sezonin e ardhshëm, kur do të tentojmë përsëri ngjitjen në Kategorinë e Parë. Ky sezon ishte një përvojë më shumë për klubin e Valbonës, që debutoi për herë të parë në këtë nivel”, u shpreh trajneri Kërnaja për “Panorama Sport”.
Krutanët
Transferta e Tropojës, test mbijetese për Kastriotin
Krutanët, nëse u referohemi statistikave të dhjetë ndeshjeve të fundit të zhvilluara gjatë këtij viti, kanë mundur të grumbullojnë 5 pikë (me 7 humbje, dy barazime dhe një fitore). Një bilanc aspak pozitiv për një skuadër që vjen nga kampionati i Superiores. Fitorja e fundit e Kastriotit është ajo me Kukësin në “Redi Maloku”, më 19 janar. Takimin e vendosi goli i Ajazit me penallti, që u dha krutanëve një trepikësh i konsideruar i rëndësishëm për ecurinë e skuadrës në vazhdim. Bilanci aspak i mirë i këtij viti, çon në logjikën e thjeshtë se ndeshja ndaj Valbonës do të jetë një sfidë reflektimi për të besuarit e Himës.
Në dy ballafaqimet e këtij edicioni, skuadrat janë ndarë në barazime. Fillimisht në Tropojë, skuadrat u ndanë me rrjeta të paprekura. Ndërsa në fazën e dytë në ndeshjen e zhvilluar në “Redi Maloku”, takimi u mbyll në barazim 1-1. Goli i shënuar nga Ajazi në të 83′, shoi ëndrrën e tropojanëve për të marrë një trepikësh. Ndeshja e sotme, pavarësisht pozitave që kanë skuadrat në renditje, pritet të ketë interes. Një fitore e miqve, duke shpresuar në hapat fals të rivalëve, hap oreksin e krutanëve për të synuar vendin e gjashtë në renditje, por primare mbetet distancimi nga zona “play out”.
ABDULLA DUSHKU/ NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL













