Valbona i përket së shkuarës, portieri Hoxha tregon ambiciet për sezonin e ri
Valbona nuk arriti të mbijetonte në Kategorinë e Parë në sezonin 2024-2025. Në këtë dështim ndikoi përvoja si debutuese e njëkohësisht edhe largimi i disa futbollistëve para përfundimit të kampionatit, duke e lënë përgjysmë projektin e qëndresës në të Parën.
Një nga futbollistët më të rëndësishëm të skuadrës ka qenë dhe portieri Forald Hoxha, i cili u largua nga skuadra para kohe. Ai nuk do të jetë më pjesë e Valbonës, pasi bashkëpunimi me të u mbyll që në muajin mars, kur u larguan në mënyrë demonstrative 4 futbollistë, midis të cilëve edhe portieri Hoxha. 23- vjeçari është në kërkim të një klubi. Edhe pse ka katër muaj që është larguar nga futbolli aktiv, për asnjë moment nuk është shkëputur nga stërvitjet duke mbajtur veten në aktivitet të plotë. Paraqitja e tij te Valbona ka qenë pozitive dhe largime para kohe pati lidhje me arsye jashtë fushës, çështje kontraktuale.
Ish-portieri i Valbonës, Butrintit, Partizanit U-21 dhe Përmetit, për “Panorama Sport” u shpreh: “Edhe pse jemi shkëputur nga aktivitetet zyrtare shumë më shpejt se të mbaronte kampionati, që atëherë e deri tani për asnjë moment unë nuk jam shkëputur nga stërvitjet individuale. Tani jam në pritje të një oferte të pëlqyeshme dhe sa më të vlefshme. Kam disa kërkesa si nga Kategoria e Parë, por edhe nga e Dyta. Telefonata e fundit më ka ardhur nga Kosova dhe për këtë ofertë jam duke u menduar. Nga të gjitha ofertat, sigurisht që do të pranoj më të përshtatshmen për mua”.
Aventura e Valbonës në Kategorinë e Parë zgjati vetëm një sezon, kështu që tropojanët rikthehen në të Dytën, ku gjithçka duhet të nisë nga fillimi, pasi sezonin e mbyllën me 11 lojtarë.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













