Valbona drejt shpërbërjes si ekip, mbrojtësi Rosaj i jep lamtumirën pas një sezoni të vuajtur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2025 | 16:36

Valbona drejt shpërbërjes si ekip, mbrojtësi Rosaj i jep lamtumirën pas një sezoni të vuajtur

Shpërbërja e Valbonës nisi disa javë para mbylljes së kampionatit, ku për tropojanët rezultoi thjesht një sezon kalimtar në Kategorinë e Parë, pasi u rikthyen sërish në të Dytën. Pas mbylljes së kampionatit kanë nisur të firojnë edhe ata pak lojtarët që mbeten në ekip.

rosaj valbona

I fundit që ka shpallur “divorcin” është Bledi Rosaj. Bëhet fjalë për një largim me peshë, një futbollist me origjinë tropojane, që prej tre vitesh kontribuoi për Valbonën. Në lidhje me largimin dhe të ardhmen, mbrojtësi Rosaj, për “Panorama Sport”, deklaroi: “Dua të bëj me dije se nuk do të jem më pjesë e klubit Valbona. Tani jam një lojtar i lirë dhe në kërkim të gjetjes së një destinacioni të ri. Kam disa oferta nga kategori të ndryshme, por duke ditur se koha është e mjaftueshme, nuk do të nxitohem dhe do të përzgjedh atë që do të jetë më e mira për karrierën time.

Sigurisht, dëshira është që të luaj në Superiore, pasi kërkoj të rritem edhe më shumë në aspektin profesional”. Në sezonin e fundit, Rosaj nuk ka qenë shumë me fat, ku pas një dëmtimi që mori në shpatullën e djathtë, nuk u aktivizua në shumë ndeshje, por u rikthye atëherë kur skuadra ia kishte nevojën. Luajti për Valbonën vetëm 1090 minuta në 16 ndeshje.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL