UEFA mbron Marçiniak, pas Vllaznia-Egnatia mund t’i besohet edhe finalja e… Champions

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2025 | 19:01

UEFA mbron Marçiniak, pas Vllaznia-Egnatia mund t’i besohet edhe finalja e… Champions

Szimon Marçiniak është kthyer në personazhin kryesor të mediave pas ndeshjes mes Interit dhe Barcelonës në Ligën e Kampioneve. Sulmet e katalanasve ndaj tij kanë qenë të vazhdueshme pasi pretendojnë se gjyqtari ka qenë i njëanshëm në vendime pro Interit.

marciniak

Një qëndrim i cili nuk ndahet nga UEFA, për të cilën polaku është një nga gjyqtarët më të mirë ndërkombëtarë në qarkullim. Gazeta spanjolle “Marca” është interesuar pranë institucionit që drejton futbollin në kontinent nëse kishte ndonjë probleme me Marçiniak si pasojë e kësaj ndeshje. “Nuk ka asnjë problem”, ishte përgjigja që gazeta spanjolle kishte marrë nga UEFA.

Një përgjigje që përkthehet nga mediat spanjolle si një mbështetje të vendimeve të Marçiniak gjatë sfidës, duke mos lëkundur besimin që ka te kryesori polak, i cili pas pak ditësh do të jetë i pranishëm në Tiranë për të drejtuar duelin për titullin mes Vllaznisë dhe Egnatias.

Marçiniak do të vazhdojë kësisoj të jetë një nga gjyqtarët e zgjedhur nga UEFA dhe FIFA për të drejtuar në Botërorin e Klubeve në SHBA në këtë verë. Por jo vetëm kaq, pasi sipas “Marca”, ai është në garë për të drejtuar finalen mes PSG-së dhe Interit.

Emri i parë në listë ishte francezi Klement Turpë, por ai ka dalë tashmë nga kandidatët meqë në finale është PSG. Kështu, Marçiniak është bërë një nga kandidatët kryesorë për të drejtuar ndeshjen finale të turneut.

PANORAMASPORT.AL