U rikthye në Durrës pas 2 vitesh, Daci: Nuk i trembemi askujt, Teuta meriton të jetë lart
Pas dy vitesh larg Durrësit, sulmuesi Klejdi Daci është rikthyer sërish te Teuta, me synimin për të dhënë kontributin maksimal në objektivat e skuadrës. Në këtë intervistë, ai flet për emocionet e rikthimit, debutimin ndaj Dinamos, barazimin e marrë dhe pritshmëritë për sfidën e radhës kundër Partizanit.

Klejdi, mirë se u riktheve te Teuta pas dy vitesh mungesë. Çfarë do të thotë ky rikthim për ty?
Faleminderit. Rikthimi te Teuta është shumë i veçantë për mua. Këtu jam rritur si futbollist dhe si njeri. Pas dy vitesh eksperiencë larg Durrësit, ndihesha gati të kthehesha dhe të jap maksimumin për fanellën e Teutës.
Çfarë ka ndryshuar tek ti gjatë këtyre dy viteve?
Kam fituar më shumë pjekuri dhe eksperiencë. Kam punuar shumë në aspektin fizik dhe taktik, por edhe mentalisht jam më i fortë. Ndihem më i përgatitur për përgjegjësitë që kërkon ky nivel.
Debutimi yt pas rikthimit erdhi ndaj Dinamos. Si e përjetove atë ndeshje?
Ishte një ndeshje me emocione të forta. Debutimi ndaj Dinamos nuk është i lehtë, por u përpoqa të jem i përqendruar e të ndihmoj skuadrën. Ishte një ndjenjë shumë e mirë të isha sërish me Teutën.
Si e konsideroni barazimin ndaj Dinamos?
Ishte një ndeshje e fortë dhe shumë e luftuar. Dinamo është një kundërshtar cilësor dhe nuk ishte e lehtë të merrnim maksimumin. Sigurisht që donim fitoren, por duke parë rrjedhën e lojës, barazimi është një rezultat që duhet pranuar. Tani fokusi ynë është te ndeshjet e radhës për të marrë më shumë pikë.
Sa i kënaqur je nga forma jote aktuale?
Jam në rritje dhe besoj se ende nuk kam treguar maksimumin. Me çdo ndeshje po ndihem më mirë dhe shpresoj që golat dhe paraqitjet e mira të vijnë sa më shpejt.
Çfarë prisni nga ndeshja me Partizanin?
Presim një ndeshje shumë të vështirë, pasi Partizani është një skuadër e fortë dhe me shumë cilësi. Jemi duke u përgatitur seriozisht dhe me përqendrim maksimal. Do të hyjmë në fushë për të dhënë gjithçka dhe për të marrë një rezultat pozitiv. Respektojmë kundërshtarin, por nuk kemi frikë nga askush, sepse besojmë te forca jonë si ekip.
Çfarë pret nga pjesa e mbetur e sezonit?
Objektivi kryesor është të ndihmoj ekipin të arrijë synimet e tij. Personalisht dua të jem vendimtar, të shënoj gola dhe të jap asist. Teuta meriton të jetë lart dhe do të luftojmë deri në fund.
ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL













