U promovua nga Dinamo dhe vlen shumë, Mandela: Gjërat e mira duan kohë, por vijnë
Nga Luzi 2008 te Dinamo dhe pas një viti me blutë e kryeqytetit, Itodo Mandela po bëhet gati për hapin e madh në karrierë. Sezoni i fundit ka qenë pozitiv për 21-vjeçarin nigerian, pasi pësoi një progres të madh.

Mandela shënoi 13 gola në kampionat dhe 8 në Kupën e Shqipërisë, duke qenë edhe kontribuuesi kryesor në këtë kompeticion, që u kurorëzua me fitimin e trofeut. Falë paraqitjes surprizuese me Dinamon, vlera e kartonit të nigerianit, që më 1 korrik mbush 22 vjeç, ka pësuar një rritje të pamenduar, kur ai kaloi nga Luzi 2008 te Dinamo. Sipas “transfermarkt”, vlera aktuale e kartonit të sulmuesit të Dinamos është 1 milion euro.
Itodo Mandela do të jetë shitje e bujshme e Dinamos, në rast se nuk kualifikohen në grupet e Ligës së Konferencës. “Panorama Sport” mëson se Metalist 1925 Kharkiv, skuadër e elitës ukrainase, është e gatshme të paguajë 1 milion euro për transferimin e sulmuesit nigerian të dinamovitëve. E njëjta skuadër po ashtu kërkon edhe Baton Zabërgjën. Operacioni për këtë të fundit do të rezultonte më i shtrenjtë, pasi në garë janë edhe klube ruse.
Tek ukrainasit e Metalist bëjnë pjesë Ermir Rashica dhe Kristian Mba. Të dy u afruan në merkaton e dimrit, ndërsa Skënderbeu dhe Partizani fituan shuma të konsiderueshme. Fokusi i Dinamos aktualisht nuk qëndron te shitja e lojtarëve, pasi ofertat janë të shumta. Synimi i madh janë grupet e Europës, ndërsa turi i tretë është më se i arritshëm. Ekipi i Ilir Dajës do të sfidojë fituesin e Atletik D’Eskaldes-Dudelanzh.
Sot Dinamo luan miqësoren e radhës, ku përballë kanë Partizanin e trajnerit Skënder Gega. Në lidhje me këtë situatë dhe lakimin e tij për një shitje të mundshme, së fundmi ka reaguar edhe vetë Mandela. Përmes një postimi në profilin e tij, ai jep një mesazh filozofik, por lë të kuptohet se gjërat e mëdha për karrierën e tij po vijnë, por duhet pak kohë. Ja postimi i Itodo Mandelës:
“Nëse po pyesni veten pse po zgjat kaq shumë, mos harroni se gjërat e mira duan kohë, prandaj relaksohuni, fitoret tuaja janë duke ardhur”.
LUZI “FËRKON DUART”- Lajmet për shitjen e mundshme të Itodo Mandelës bëjnë që edhe te Luzi të “fërkojnë duart”, madje më shumë sesa e kishin menduar para një viti. Në verën e shkuar, ku presidenti i Luzit, Albert Lusha, mbylli transferimin e nigerianit te Dinamo, u tha se ai dhe presidenti dinamovit, Ardian Bardhi, kanë rënë dakord për të ndarë 50-50 vlerën e kartonit në rast shitjeje.
Me shifrat që po fliten aktualisht, ku thuhet se ukrainasit e Metalist janë gati të paguajnë 1 milion euro për Mandelën, i bie që 500 mijë euro do të kalojnë në arkat e klubit kavajas, Luzi 2008. Pa dyshim, një biznes i pastër i presidentit Lusha, i cili e ka nuhatur cilësinë e nigerianit, duke i mbajtur gjysmën e vlerës së kartonit në pronësi.
PANORAMASPORT.AL













