“U bë lojë e nivelit europian”, Tetova i gëzohet fitores përballë Dinamos: Ka një katërshe para për t’u pasur zili
Edlir Tetova ka theksuar se fitorja e skuadrës së tij sot ndaj Dinamos ishte e merituar dhe se ekipi kishte bërë shumë mirë duke analizuar kundërshtarin dhe paraqitjet e tij në të kaluarën.

“Skuadra sot ishte në detyrë, mendoj që u bë një lojë e një niveli europian, lojë e bukur nga të dy ekipet. Por doja të veçoja ekipin në pjesën e parë se ishim gjithë kohën në detyrë, në manovër dhe shumë herë para portës kundërshtare.
E kam cilësuar që çdo lojtar është i rëndësishëm në ekip, por 5 mungesa janë shumë. Jam mësuar me këtë fakt. Por kemi një ritëm, një ecuri, djemve u kam thënë që kemi 10 finale, sot ishte e dyta, tjetra është e treta me radhë. Do marrim ndeshjet më radhë dhe të gjithë duhet të jemi vigjilent që të bëjmë më të mirën duke sakrifikuar.
Dinamo ka armë të fortë kundërsulmin, ka një katërshe para për t’u pasur zili. Nuk është alibi, është fakt, janë shumë të mirë dhe të frikshëm në tranzicion. Në një ndeshje ka situata, nuk më vjen shumë mirë që në disa momente duhej të bënim faull, se ashtu e kishm përgatitur, që kur të niseshin duheshin bërë faulle. Por sigurisht edhe ata kanë meritat e tyre pastaj.
Për sa kohë jemi në maratonë, të gjithë ekipet janë rivale. Sa i përket ndeshjes së parë të dhjetorit që jemi mundur 2-1, nuk ishte për t’u mundur, se i kishte të gjitha brenda, pësuam dy gola në tranzicion. Por gjithë kohës duke studiuar, parë kundërshtarë, edhe ne duhet të përgjigjemi, pa humbur theksin e asaj që zhvillojmë”, tha Tetova për RTSH pas ndeshjes.
PANORAMASPORT.AL













