Triumfet e ngushta, filozofia e Alegrit me Milanin
Masimiliano Alegri dhe fitoret “1-0” nuk janë rastësi – ka një arsye të qartë pas tyre. Edhe pse “mbreti” i vërtetë i fitoreve minimale është një tjetër…

Milani në 33 javë kampionat ka fituar 8 herë me rezultatin 1-0 dhe plot 13 herë me një gol diferencë, vetëm Antonio Konte me Napolin e tejkalon këtë shifër me 14 suksese të tilla. Trajneri kuqezi shpjegon:
“Kishte disa ndeshje që Adrien endet nëpër fushë…”. Të fitosh me golin e një lojtari të quajtur “Kali i Çmendur” është kulmi i filozofisë së fitoreve minimale. Alegri fitoi 1-0 në transfertë ndaj Hellas Verona, në stilin e tij tipik që e ka aplikuar që nga shtatori, rrezik minimal, një gol dhe menaxhim i avantazhit. Ndërkohë që në Milano nis “Java e Modës”, Milani duket sikur ka vetëm një “formë” dhe nuk ndjen nevojë të ndryshojë për të kënaqur publikun. Statistikat janë domethënëse: 8 fitore 1-0 dhe 13 me një gol diferencë në 33 ndeshje. Në pesë kampionatet kryesore të Europës, vetëm Napoli ka bërë më mirë.
PSE FITON GJITHMONË 1-0?
Alegri e ndërtoi këtë Milan solid që në fillim të sezonit, duke kërkuar kontroll të ritmit dhe minimizim të rrezikut. Gabimet individuale janë ulur ndjeshëm krahasuar me periudhat e drejtuara nga Stefano Pioli dhe Paulo Fonseka, dhe rezultatet kanë ardhur natyrshëm, fitore minimale ndaj Bolonjës, Napolit, Fiorentinës, Romës, Interit, Lacios, Torinos, Kaljarit, Leçes, Pizës, sërish Interi, sërish Torino dhe tani Verona, plot 13 në total. Mesazhi është i qartë:
Alegri nuk ka ndërmend të ndryshojë skemën 3-5-2 që i ka dhënë siguri skuadrës. Prova me tredhëmbëshin ndaj Udinezes dha përgjigje negative, duke konfirmuar se ky Milan funksionon më mirë me ekuilibër dhe disiplinë. Rikthimi i Mateo Gabias në qendër të mbrojtjes ishte i menjëhershëm pas dëmtimit, pavarësisht një momenti të vështirë në rastin kryesor të Veronës, ai i dha stabilitet skuadrës. Një detaj domethënës, Milani nuk humbet që nga gushti kur Gabia është titullar, dhe kjo nuk duket rastësi.
RABIO DHE “KALI I ÇMENDUR”
Niveli i Veronës, që u paraqit me vetëm një sulmues titullar, ndihmoi disi, por Milani ka fituar ndeshje të tilla edhe ndaj kundërshtarëve më të fortë. Formula është e njëjtë: shumë mbrojtje, pak rrezik dhe një goditje vendimtare. Këtë herë heroi ishte Adrien Rabio, “Kali i Çmendur” i Alegrit. “Adrien kishte disa ndeshje që endej në fushë”, tha trajneri pas ndeshjes, në një koment mes kritikës dhe vlerësimit.
Nëse duhet zgjedhur “kali” i preferuar i fundjavës për Alegrin, ndoshta nuk është as Rabio. Është “Strong Alpha”, kali në pronësi të tij që 24 orë para Verona-Milan fitoi një garë në “San Siro”. Një garë ku dukej në avantazh, u ngadalësua dhe në fund shpërtheu për të fituar, një histori që i ngjan shumë rrugëtimit të Milanit drejt objektivit Champions.
PANORAMASPORT.AL













