Trashi “në ajër”, refuzon 19-vjeçarët. Lojtari i zhvillon stërvitjet jo në orarin kur përgatitet Flamurtarit
Lorenc Trashi “braktiset” nga Flamurtari. Pavar ësisht se iu përgjigj thirrjes së klubit dhe mbërriti në Vlorë, futbollisti ka mbetur i vetëm në mes të qytetit bregdetar.

Drejtuesit e klubit kanë marrë një vendim tjetër, që në një farë mënyre nuk është as më shumë e as më pak, por një ashpërsim i masës së dënimit ndaj tij pas ngjarjeve të ndodhura në Ballsh me penalltinë që edhe e “dogji”.
“Panorama Sport”, zbulon se Trashi nuk është lejuar që të stërvitet me skuadrën. Në këto ditë ai po stërvitet në Vlorë, por në mënyrë individuale. Madje lojtari i zhvillon seancat stërvitore jo në orarin kur stërvitet skuadra, pasi nuk i lejohet të jetë bashkë me grupin. Gazeta mëson se Lorenc Trashit i është komunikuar nga klubi që të stërvitet me skuadrën Flamurtari U19. Por mësohet se ai nuk e ka pranuar një gjë të tillë dhe po stërvitet i vetëm.
Por largimi i lojtarit duket se tashmë është i pashmangshëm, pavarësisht se u mendua se gradualisht gjërat do të zbuteshin. Por kanë marrë një tjetër kthesë. Gjithçka u paralajmërua edhe nga trajneri Andi Ribaj pas ndeshjes me Tiranën duke e cilësuar Trashin si pjesë të së shkuarës.
URDHËRAT E KLUBIT – Pavarësisht se nuk kanë ndërmend që ta aktivizojnë me Flamurtarin në ndeshjet e mbetura të sezonit, klubi i ka vënë Lorenc Trashit “këmbët në një këpucë”, madje edhe duke e bllokuar. Gjatë kësaj kohe ai nuk do të stërvitet me grupin, por do të jetë i pranishëm në seancat përgatitore dhe do të stërvitet individualisht. Futbollisti është i pezulluar por gjatë kësaj kohe do të ndjekë stërvitje sipas programit të përcaktuar. Po ashtu si do të paraqitet në të gjitha aktivitetet e planifikuara dhe në çdo kontroll mjekësor të kërkuar nga klubi. Mosparaqitja ose moszbatimi i programit do të trajtohet si shkelje e mëtejshme kontraktore. Masa zbatohet deri në përfundimin e procedurës së verifikimit dhe marrjen e vendimit përfundimtar. Por gjatë kësaj kohe lojtari detyrohet të respektojë detyrimet e konfidencialitetit dhe moskomunikimit me media pa autorizim, si dhe të mos kryejë veprime që dëmtojnë imazhin ose interesat e klubit në përputhje me kontratën.
TË DËNUAR ME PAGESË – Te Flamurtari janë dy lojtarë të dënuar, por që gjatë kësaj kohe do të paguhen. E ndërsa klubi ka vendosur kushte për Lorenc Trashin, pavarësisht se lojtari nuk do të aktivizohet është i detyruar që t’i paguajë “qindarkë për qindarkë” çdo detyrim financiar. Edhe Luçiano Skuadrone është pezulluar 6 muaj nga Disiplina duke i shtuar edhe më shumë hallet skuadrës. Mbrojtësi i përfshi në sherrin që ndodhi pas ndeshjes me Elbasanin. Argjentinasi thuajse e ka mbyllur aventurën në Vlorë por jo “bankomatin” që vijon dhe xhiron. Edhe këtij lojtari klubi do t’i paguajë çdo detyrim. Skuadrone vijon të qëndrojë në Vlorë me familjen e tij, madje shikohet edhe të shëtisë përgjatë bregdetit. Çka do të thotë se sido që shkuan gjërat në dëm të klubit, lojtari këto javë të mbetura do t’i shfrytëzojë për kavalishencë me “xhepa plot”.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













