Mbape sfidon radarët, Botërori thyen çdo kufi
Kur FIFA vendosi ta zgjerojë Kupën e Botës në 48 kombëtare, shumë parashikuan një turne të pafund dhe me nivel më të ulët konkurrues. Një muaj më vonë, realiteti ka rezultuar krejt ndryshe. Me vetëm tetë skuadra të mbetura në garë, Botërori ka thyer pothuajse të gjitha rekordet e njohura.

Asnjë Kupë Bote nuk kishte mbledhur më parë kaq shumë njerëz, nuk kishte gjeneruar një ndikim kaq të madh në internet dhe nuk kishte çuar në limite performancën fizike të futbollistëve. Shifrat flasin vetë: 6.259.584 spektatorë në stadiume, 99,7% e vendeve të zëna, 20 miliardë shikime videosh dhe rekorde që duken sikur i përkasin një sporti tjetër. Pamja që përmbledh më së miri futbollin modern është ajo e Kilian Mbape. Sulmuesi francez arriti shpejtësinë 37,6 km/h, më e larta e regjistruar në turne deri tani. Një shifër më e lartë se kufiri i lejuar i shpejtësisë në shumë rrugë të qyteteve.
Por ky nuk ishte rekordi i vetëm fizik. Yuri Tilemans është futbollisti që ka përshkuar distancën më të madhe në kampionat, me 61,8 kilometra, ndërsa bashkëlojtari i tij Timoti Kastanje regjistroi distancën më të madhe në një ndeshje të vetme, me 16,29 kilometra. Ndërsa goditjen më të fuqishme e realizoi Pape Gueje, topi i të cilit arriti shpejtësinë 131,9 km/h, një shifër e krahasueshme me një servis në tenisin profesionist.
NJË SHPEJTËSI QË DO TË NDËSHKOHEJ NGA RADARËT
Edhe në fushë vazhdojnë të bien rekorde historike. Leo Mesi ka shënuar tashmë tetë gola, ndërsa Mbape dhe Erling Haland kanë nga shtatë secili. Asnjëherë më parë tre futbollistë nuk kishin arritur këtë shifër në të njëjtin edicion të Kupës së Botës. Argjentinasi vazhdon gjithashtu të zgjerojë legjendën e tij. Me 21 gola, ai është golashënuesi më i mirë në historinë e Botërorit dhe ka shënuar në nëntë ndeshje radhazi të Kupës së Botës, një rekord i paprecedentë.
Edhe Mbape vazhdon të thyejë barriera. Në ndeshjen kundër Paraguait ai realizoi golin e 150-të të Francës në historinë e Botërorit dhe e çoi në 11 rekordin e tij të golave në fazat me eliminim direkt të Kupës së Botës. Edhe kombëtaret kanë shkruar histori. Maroku u bë përfaqësuesja e parë afrikane që arrin për herë të dytë në çerekfinale.
Norvegjia u kualifikua për herë të parë në historinë e saj, ndërsa Zvicra u rikthye në këtë fazë për herë të parë që nga viti 1954. Ndërkohë, Spanja mbetet kombëtarja e vetme që nuk ka pësuar ende asnjë gol, me Unai Simon që e ka çuar në 609 minuta rekordin e tij të paprekshmërisë në Kupën e Botës.
NDIKIMI DIXHITAL
Dyshimet mbi formatin me 48 kombëtare janë zhdukur edhe në tribuna. Më shumë se 6,25 milionë tifozë kanë ndjekur deri tani ndeshjet, me një mesatare prej 99,7% të kapacitetit të stadiumeve të mbushur dhe 65.204 spektatorë për ndeshje. Stadiumi “Ciudad de México” ka qenë epiqendra e turneut, duke kaluar shifrën e 80.800 tifozëve në pesë ndeshje të ndryshme. Jashtë stadiumeve, edhe 7,7 milionë tifozë të tjerë kanë ndjekur kampionatin nga zonat zyrtare FIFA Fan Festival, të shpërndara në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada. Botërori luhet edhe në telefonat celularë.
FIFA ka regjistruar 20 miliardë shikime videosh, 30 miliardë impresione dhe 1,7 miliardë ndërveprime në rrjetet sociale. Krahasuar me Katarin 2022, shikimet e videove janë rritur me 485%, ndërsa ndërveprimet janë shtuar me 160%. Fenomeni më viral ka qenë festimi “Viking Roë” i Norvegjisë, që ka grumbulluar 174 milionë shikime në “TikTok”. Vetëm videoja ku Nejmari uron futbollistët norvegjezë ka arritur 70 milionë shikime, ndërsa performanca e Shakira dhe “Burna Boy” në ceremoninë hapëse ka kaluar tashmë 180 milionë shikime në “YouTube” dhe “Instagram.
PANORAMASPORT.AL













