Transfertë rekord për finalen Vllaznia-Egnatia, nga Shkodra premtojnë “det” tifozësh
Interesimi për biletat e finales Vllaznia-Egnatia ka qenë i jashtëzakonshëm që në daljen e tyre në treg në Shkodër. Biletat e rezervuara për tribunat ku parashikohen të jenë të vendosur tifozët shkodranë kanë “avulluar” brenda pak orësh.

Ku si në pikat fizike në qytet, por edhe në portalin online të vënë nga ana e FSHF-së, në sektorët ku ndodhen tifozët kuqeblu ditën e enjte sipas asaj çfarë mëson gazeta nuk ka pasur më bileta në gjendje. Kjo pasi vendet janë rezervuar në kohë rekord, me tifozët kuqeblu që pritet të “pushtojnë” Tiranën.
Dhe patjetër me 24 vite që titulli mungon në Shkodër, duken më të “etur” se kurrë për të arritur suksesin përfundimtar. Madje ka nga ata tifozë që duke parë se vendet janë rezervuar në krahët e Vllaznisë, kanë marrë bileta edhe në sektorët ku mund të pozicionohen tifozët e Egnatias, ku tribuna ballore e “Arena Kombëtare” pritet të ketë vetëm dy ngjyra, ato kuqeblu. Interesimi ka qenë shumë i lartë edhe gjatë orëve të fundit të së premtes.
Me mbështetësit shkodranë që kanë kërkuar hapjen e tribunave edhe në katin e dytë të stadiumit. Kjo duke parë interesimin dhe dëshirën e madhe që kanë shkodranët për ta ndjekur një finale të tillë nga shkallët e stadiumit në kryeqytet.
PANORAMASPORT.AL













