Trajneri Mile nis punën, Tirana të shtunën miqësore me Korabin/ Skuadra do të zhvillojë fazën përgatitore në…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2025 | 23:18

Trajneri Mile nis punën, Tirana të shtunën miqësore me Korabin/ Skuadra do të zhvillojë fazën përgatitore në…

Tirana ka nisur menjëherë përgatitjet nën drejtimin e stafit të ri teknik. Vangjel Mile ka veshur tutat dhe së bashku me ndihmësin e tij Argentino ka nisur punën. Në orën 17:30, trajneri është prezantuar me lojtarët dhe stafin ndihmës nga zëvendëspresidenti Grent Halili.

Mile

Pas formaliteteve, ai ka marrë drejtimin e stërvitjes. Gjatë ditës së djeshme, veç forcës, skuadra për herë të parë ka zhvilluar edhe një ndeshje brenda grupit. Stërvitja gjatë këtyre ditëve do të vazhdojë me dy seanca në ditë, ndërsa në vazhdim pritet të ketë edhe një miqësore. Më saktë, bardheblutë kanë planifikuar një përballje ditën e shtunë kundër Korabit. Takimi do të luhet në stadiumin “Selman Stërmasi”.

FAZA – Tashmë është zyrtare që Tirana do të qëndrojë në kryeqytet deri në datën 28 korrik. Në fund të korrikut, ekipi do të spostohet diku tjetër për të bërë fazën përgatitore. Më saktë në Greqi. Skuadra do të grumbullohet afër Selanikut në një kamp stërvitor. Bardheblutë do të jenë së bashku me Elbasanin dhe skuadra të tjera shqiptare.

GJENDJA – Tirana ka afruar disa lojtarë në këtë merkato vere. Më saktë, katër mes mesfushës dhe sulmit dhe dy mbrojtës. Nga ana tjetër, te Tirana, në qetësi janë larguar disa lojtarë gjatë kësaj vere. Bëhet fjalë për futbollistë titullarë dhe jo vetëm. Ka edhe nga ata që janë në fund kontrate. Gjithsesi, duke parë situatën që firmat e para erdhën te bardheblutë, gazeta ka llogaritur lojtarët që janë nën kontratë dhe mund të bëjnë formacionin e Tiranës.

Dhe në fund formacioni është i ekuilibruar. Bëhet fjalë për një 11-she që në letër është shumë e fortë. Madje, Tirana ka edhe disa lojtarë rezervë. Në pamje të parë, ekipi është i mirë, por skuadra duhet të përforcohet në reparte të caktuara që të ketë alternativa të mundshme.

PANORAMASPORT.AL