Trajneri Gjoka, me disa dilema për anti-Tiranën. Ja formacioni i mundshëm
Skënderbeu mbyll përgatitjet për ndeshjen me Tiranën. Mes dilemave për formacionin dhe lamtumirës së Rashicës, korçarët janë gati për të luajtur një prej ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit, përballë një kundërshtari direkt për mbijetesë.
Ndaj Tiranës së gjymtuar dhe me shumë probleme, bardhekuqtë, do të kërkojnë të marrin maksimumin e mundshëm duke shpresuar për të rihapur përfundimisht garën për mbijetesë dhe për të lënë vendin e fundit në renditje.
Pikërisht një gjë e tillë është kërkuar me forcë nga ana e drejtuesve dhe stafit teknik, të cilët duket se kanë sosur durimin dhe nuk presin më justifikime në këtë pikë tejet të rëndësishme të sezonit. Në mes të ciklonit të gjobave dhe heshtjes për shtyp që është vendosur si sanksion nga ana e presidencës, korçarët kanë mbyllur përgatitjet për ndeshjen e radhës, duke pasur të qartë kërkesat dhe objektivat për këtë takim.
Në bazë të përgatitjeve trajneri Gjoka duket se ka një grup të plotë në dispozicion dhe ka luksin që të zgjedhë formacionin më të mirë të mundshëm për këtë takim. Në kushte të tilla, numri një i pankinës korçare ka disa dilema sa i përket rreshtimit final të Skënderbeut në këtë ndeshje dhe pritet që vetëm pak para nisjes së sfidës të vendosë sa i përket dy lojtarëve që momentalisht janë në dilemë tek korçarët.
Porta duket e sigurt me Alian dhe qendra e mbrojtjes me shumë mundësi do të formohet nga Vaskez dhe Prençi teksa Shaqe dhe Doka do të plotësojnë repartin. Në garë për një fanellë titullari është edhe Randi në të djathtë, por tiranasi është më i avantazhuar. Në mesin e fushës nuk ka vend për dilema teksa Frenkli, Randi dhe Esterla janë titullarët e kësaj ndeshjeje. Në sulm Bismark dhe Balaj kanë një fanellë të sigurt titullari, teksa Nikaj pritet që të zërë vendin e Rashicës, por në garë është edhe Lukinas. Ky pak a shumë është rreshtimi i Gjokës për ndeshjen ndaj Tiranës. 
LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL













