Trajneri Bellai zbërthen aventurën e tij: “Ju tregoj Vorën e elitës, titullin ta sigurojmë para sfidës me Flamurtarin”! Valbona, shumë pranë akordit me trajnerin e ri
Java e 24-t e gjen Vorën në Tropojë, ku sot në orën 13:30 do të përballet me Valbonën vendëse.
Trajneri Arian Bellai konsiderohet si një ekspert i ngjitjeve të klubeve nga Kategoria e Parë në Superiore. E bëri vjet me Bylisin dhe tani është shumë pranë që ta përsërisë edhe me Vorën. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” trajneri gjirokastrit tregon aventurën te Vora, pritshmëritë dhe objektivin.
Jeni në mbyllje të një sezoni te Vora, si ndihet trajneri Bellai?
Nuk e kisha menduar se do të ndihesha kaq mirë, te një nga klubet më të reja të futbollit shqiptar. Unë nuk jam tip që bëj lajka. Më pëlqen shumë Vora, sepse këtu shoh njerëz të përkushtuar dhe mbi të gjitha ka dëshirë të madhe për të bërë gjëra të mrekullueshme, nga presidenti i ekipit, kryebashkiaku dhe gjithë donatorët e tjerë të këtij klubi.
Pak ditë më parë, më 1 shkurt, festuat 54 vjetorin e lindjes. A e kishit menduar ndonjëherë se do të drejtonit Vorën?
Asnjëherë, por jeta e trajnerëve kështu është. Futbolli është një sport që ka gjithmonë të papritura, jo vetëm kur ke qenë lojtar, por edhe kur bëhesh trajner. Futbolli i tillë është.
Cilat janë përshtypjet tuaja për Vorën deri tani?
Jam shumë i kënaqur. Kam gjetur një ambient ku punohet me seriozitet të madh dhe mbi të gjitha ka një uri të madhe për të mësuar sa më shpejt. Kjo vërehet te të gjithë lojtarët. Kjo gjë më kënaq pa masë. Natyrisht që jemi lodhur shumë gjatë kësaj periudhe. Të gjithë kemi përjetuar emocione, strese para çdo ndeshje. Po kështu si unë edhe lojtarët, e kanë përjetuar një gjë të tillë, por kur sheh me sy rezultatet e kësaj pune mendoj se ia vlen e gjithë kjo sakrificë.
Ngjitët Bylisin sezonin e kaluar në elitë. Tani Vora gati po arrin suksesin e dytë radhazi, cila do të jetë aventura e tretë?
Ne po punojmë të jemi gati për çdo gjë. Qëllimi im, gjithmonë pranë çdo skuadre ku kam drejtuar, është që të marr maksimumin. Nuk jam për aventura, por për të kryer detyrat dhe përkushtimin në punë, që i takojnë çdo trajneri. Tani për tani kam për të mbyllur këtë sezon. Kemi ndërtuar një skuadër për ta ngjitur në Superiore e për ta shpallur kampion. Nuk do të lejojmë asnjë surprizë për në fund, gjithçka kërkojmë ta mbyllim përpara ndeshjes së fundit me Flamurtarin, dhe atë ditë ta kthejmë në një ditë feste.
Të dielën luani në Tropojë, ku në fazën e dytë Vora pësoi 3 gola për 30 minuta. Çfarë pritet të ndodhë në këtë përballje?
Valbona nuk e meriton pozicionim për faktin se ajo me çdo skuadër që është përballuar ka treguar forcën. Ndaj, duhen bërë mirë llogaritë dhe këtë ua kam kërkuar edhe lojtarëve gjatë kësaj jave, që të mos bëjnë gabimet e ndeshjes së parë në Tropojë. Për çdo ndeshje ne i brumosim lojtarët me mentalitetin e fituesit dhe pjekuria e tyre është e tillë, që nuk i tremben asnjë kundërshtari.
A e ka siguruar Vora ngjitjen në Superiore dhe a synoni edhe titullin?
Kur unë mora përsipër ekipin e Vorës, dy ishin objektivat e klubit, ngjitja në Superiore, por edhe fitimi i titullit kampion. Përderisa asgjë nuk është siguruar matematikisht, ne asnjëherë nuk jemi të qetë. Për ne, çdo përballje mbetet si një ndeshje finale. Është njëlloj sikur po e nisim tani kampionatin dhe luftojmë në çdo ndeshje të radhës vetëm për fitore.
Valbona duket se nuk po i reziston dot qëndrimit në Kategorinë e Parë. Për shumë javë ajo ka konkurruar pa trajner. Punën e këtij të fundit e ka bërë zëvendësi i tij Qelia, por edhe drejtori Emiliano Gega.
Drejtuesit po shqyrtojnë mundësinë e afrimit të një trajneri që të marrë drejtimin e ekipit për javët e mbetura. Duket se ata janë të vonuar në kohë, sepse edhe këtë ndeshje kundër Vorës do ta drejtojnë drejtori sportive Emiljano Gega dhe dy zv.trajnerët, Osman Qelia e Astrit Frroku. Në kamp tropojan pohojnë se janë në prag marrëveshje me një trajner, i cili e njeh pak a shumë skuadër. Gjithçka do të jetë shumë e vështirë për trajnerin e ri, që Valbonës të mbijetojë. Por para se të shkohet te kjo gjë, kërkohet që Valbona të marrë pikë të dielën në shtëpi ndaj Vorës. Braziliani Artur, që u bashku me Valbonën në merkaton e dimrit, pohoi se tropojanët i kanë mundësit për të mbijetuar, ndaj të dielën presin rezultat pozitiv ndaj vorakëve.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













