Tomori kualifikohet pa luajtur në Kupë, shkak bëhet Valbona. Gjata: Mundësi ideale për kampionatin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2025 | 16:18

Tomori kualifikohet pa luajtur në Kupë, shkak bëhet Valbona. Gjata: Mundësi ideale për kampionatin

Në Berat e kanë pritur me qetësi dhe vlerësim pozitiv pauzën e papritur që krijoi tërheqja zyrtare e Valbonës nga kampionati. Kjo situatë, që solli gjithashtu kualifikimin automatik të Tomorit në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë, është parë nga stafi teknik si një mundësi ideale për t’u përgatitur me qetësi për ndeshjen e radhës në kampionat, ku i pret transferta me Orikun. 

arbri dhe edmond gjata, tomori

Edhe pse kalimi në turin tjetër të Kupës ishte një dhuratë, në kampin beratas nuk ka vend për vetëkënaqësi. Përkundrazi, stafi teknik e ka konsideruar këtë periudhë si një bonus për të rritur nivelin e lojës dhe harmoninë në grup. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ndihmëstrajneri i Tomorit, ish-sulmuesi dhe kapiteni i njohur Edmond Gjata, u shpreh: “Ne jemi një skuadër me emër në futbollin shqiptar dhe si e tillë respektojmë çdo kompeticion ku marrim pjesë. Edhe Kupën e Shqipërisë do ta vlerësojmë maksimalisht, pavarësisht kundërshtarit që do të na përballë shorti.

Në rastin konkret, mospërballja me Valbonën këtë mesjavë e shohim si një mundësi shumë të mirë për të përgatitur në qetësi ndeshjen e radhës në kampionat, atë ndaj Orikut. Ky pushim na ndihmon të rikuperojmë energjitë dhe të përmirësojmë disa detaje në lojë që na duhen për sfidat e ardhshme”. Në Berat janë të bindur se objektivi i Tomorit mbetet rikthimi në zonën e lartë të renditjes, dhe për këtë arsye çdo ndeshje në kampionat trajtohet me përkushtim maksimal.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL