Tjetër largim nga Laçi, portieri kavajas i jep lamtumirën edhe Egnatias dhe del lojtar i lirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2025 | 12:32

Tjetër largim nga Laçi, portieri kavajas i jep lamtumirën edhe Egnatias dhe del lojtar i lirë

Ilir Dobjani është i larguari i radhës nga skuadra e Laçit pas zbritjes në kurbinasve në Kategorinë e Parë. Bardhezinjtë po përjetojnë në “eksod” masiv nga radhët e skuadrës, ku përveç lojtarëve, është larguar edhe trajneri italian, Françesko Moriero.

dobjani

Portieri kavajas iu bashku Laçit në formë huazimi në merkaton e dimrit, ku vinte si titullar i kampionëve të Egnatias. Ka qenë vetë lojtari që përmes një postimi ka deklaruar mbylljen e marrëveshjes me rrogozhinasit, pas përfundimit të kohës së huazimit te Laçi. Përmes një postimi në profilin e tij në rrjetet sociale, “gardiani” 24-vjeçar shkruan: “Nga sot (dje) nuk jam më pjesë e Egnatias. Falënderoj drejtuesit dhe të gjithë tifozët për mbështetjen e dhënë gjatë gjithë kohës që isha pjesë”. Me transferimin e Alen Sherrit në Itali, Dobjani u bë titullar tek Egnatia, por në merkaton e dimrit ndodhi rrokada me një tjetër portier kavajas, ku çelësat e portës së rrogozhinasve i kaluan Marjo Dajsinanit.

24-vjeçari i ka fituar të gjithë trofetë e mundshëm me Egnatian, 1 titull kampion, 1 Kupë të Shqipërisë, si dhe 1 Superkupë. Dobjani meritonte edhe medaljen e titullit të dytë me Egnatian, pasi në sezonin e fundit, ku rrogozhinasit u rikonfirmuan si kampionë, Dobjani i luajti të plota 20 ndeshjet e para. Dobjani ka luajtur edhe në arenën ndërkombëtare me Egnatian dhe pas përfundimit të huazimit me Laçin mbetet të mësohet se cili do të jetë destinacioni i ri për portierin kavajas, që ka mbrojtur më herët edhe portën e Besës.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL