Tirana, stoli më i paqëndrueshëm në Kategorinë Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2025 | 22:34

Tirana, stoli më i paqëndrueshëm në Kategorinë Superiore

Te Tirana, vështirë të gjesh një trajner që ka mundur të përfundojë sezonin. Në harkun e vetëm 18 muajve, klubi kryeqytetas ka ndërruar plot shtatë emra në stolin bardheblu, një shifër që tregon më shumë për mungesën e qetësisë sesa për ambicien për sukses.

tirana

Nga Julian Ahmataj te Roberto Bordin, çdo ndryshim është bërë me idenë për të ringritur ekipin, por rezultatet në fushë kanë qenë larg pritshmërive. Tashmë, drejtimin e skuadrës e ka marrë Ardian Nuhiu, që kërkon të sjellë një frymë të re dhe mbi të gjitha, stabilitet në një klub që e ka humbur prej kohësh durimin me trajnerët.

AHMATAJ – Pas një periudhe tranzicioni dhe lëkundjesh në rezultate, Julian Ahmataj mori drejtimin e Tiranës më 5 tetor 2023, me synimin për të ndërtuar një skuadër konkurruese dhe për t’i dhënë identitet ekipit. Ai solli disa ndryshime në stilin e lojës, por rezultatet në kampionat nuk ishin bindëse. Pas disa humbjesh radhazi dhe presioni të shtuar nga tribunat, tekniku u largua më 19 shkurt 2024, pas 137 ditësh në detyrë. Largimi i tij u pa si fillimi i një vale ndryshimesh që do të pasonin pa pushim.

ERBIM FAGU – Stafin e mori Erbim Fagu, që deri atëherë kishte qenë pjesë e strukturave të klubit. Ai u vendos në krye më 20 shkurt 2024 si zgjidhje e përkohshme, për të mbyllur pjesën e mbetur të sezonit. Edhe pse Fagu arriti të stabilizonte disi situatën, Tirana nuk mundi të ngjitej në zonat e larta të renditjes. Pas 94 ditësh, më 23 maj 2024, edhe ai u largua, duke përfunduar një tjetër mandat të shkurtër në stolin bardheblu.

SHKËMBI – Në verën e 2024-ës, drejtuesit e Tiranës iu drejtuan një emri me profil më të njohur, Bledi Shkëmbi. Ish-mesfushori i njohur mori drejtimin më 5 qershor 2024 dhe u prit me optimizëm, por periudha e tij e parë zgjati vetëm 153 ditë. Mungesa e vazhdimësisë në rezultate dhe presioni i brendshëm sollën ndarjen më 5 nëntor 2024. Pas tij, stafin e mori Gugash Magani, por pas një periudhe vetëm 73-ditore (nga 6 nëntori 2024 deri më 18 janar 2025), edhe ai u detyrua të largohej. Kështu, në një lëvizje të rrallë, klubi vendosi t’i besonte sërish Shkëmbit drejtimin e skuadrës për herë të dytë.

Mandati i dytë i Shkëmbit zgjati 150 ditë, nga 20 janari deri më 18 qershor 2025. Edhe pse skuadra tregoi përmirësime në lojë, mungesa e rezultateve konkrete dhe e një projekti afatgjatë sollën një tjetër ndarje me “pajtim të ndërsjellë”.

MILE – Në korrik të 2025- ës, drejtimin e skuadrës e mori Vangjel Mile, një emër që kishte punuar më parë me moshat dhe e njihte ambientin bardheblu. Ai u emërua më 14 korrik 2025, por periudha e tij në stol ishte më e shkurtra nga të gjitha, vetëm 55 ditë, deri më 6 shtator 2025. Rezultatet e dobëta në ndeshjet e para të sezonit dhe mungesa e bindjes në lojë bënë që drejtuesit të vendosnin për një tjetër ndryshim.

BORDIN – Për të thyer monotoninë e trajnerëve vendas, Tirana zgjodhi të provonte një emër nga jashtë. Roberto Bordin, italian me eksperiencë në skuadra të Europës Lindore, u ul në stolin bardheblu më 7 shtator 2025. Por eksperimenti nuk zgjati shumë. Pas 55 ditësh dhe një bilanci të dobët në kampionat, italiani u largua më 31 tetor 2025, duke mbyllur një tjetër kapitull të shkurtër në historinë e stolit të Tiranës.

NUHIU – Pas largimit të Bordin, drejtuesit bardheblu kthyen sytë nga rajoni. Më 1 nëntor 2025, drejtimin e ekipit e mori Ardian Nuhiu, trajner nga Maqedonia e Veriut, me përvojë në futbollin kosovar dhe maqedonas. Nuhiu shihet si një emër që mund të sjellë qetësi dhe vazhdimësi, dy elemente që Tirana i ka humbur gjatë këtyre dy viteve plot lëvizje. Klubi pret që me të, të ndërtohet më në fund një projekt afatgjatë, që do ta rikthejë skuadrën në garë për titujt, aty ku tradita e kërkon.

TIRANA

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL