Tomori shkëlqen në mundjen klasike, trajneri Dyshniku: Ekip me themele të forta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2026 | 22:24

Tomori shkëlqen në mundjen klasike, trajneri Dyshniku: Ekip me themele të forta

Gjatë fundjavës së kaluar u zhvillua në Tiranë Kupa e Shqipërisë për moshat U-15 dhe U-17 në mundje, një aktivitet që mblodhi në konkurrim talentet e këtij sporti në vendin tonë, të cilët u sfiduan në dy stile, në atë të lirë dhe në stilin grekoroman. Një prej ekipeve që arriti të linte gjurmë të rëndësishme në këtë kompeticion ishte Tomori, me skuadrën beratase që konfirmoi traditën në disiplinën e stilit greko-roman, ose siç njihet ndryshe në mundjen klasike.

Dyshniku

Tomori triumfoi në rang ekipor në kategorinë U-17, duke zënë vendin e parë me 200 pikë, për të lënë pas me diferencë të madhe Tiranën (115 pikë) dhe Kukësin (82 pikë). Skuadra beratase, e drejtuar nga trajneri Oldi Dyshniku, ka dominuar kundërshtarët nëpërmjet përgatitjes së lartë, me mundës të talentuar që arritën rezultatet të shkëlqyera. Trajneri i mundjes beratase Oldi Dyshniku pas përfundimit të aktivitetit, pas rikthimit në Berat si fitues i Kupës Republikës për “Panorama Sport” ka komentuat aktivitetin.

“Suksesi i Tomorit për të dyja grupmoshat 15 dhe 17 vjeç ka qenë më se i merituar, dhe gjithçka i dedikohet punës së përbashkët që kishim zhvilluar më parë në palestër, duke shfaqur një përgatitje të lartë që solli edhe këtë sukses me diferencë pikësh në raport me kundërshtarët tanë të fortë dhe konkurrentë të mëdhenj.

Pjesëmarrja jonë me 10 pesha, është një tregues se mundja beratase po hedh themele të forta për tu rikthyer dhe pasuruar traditën tonë të njohur. Jam i sigurt që ky është vetëm hapi i parë dhe fillimi i një rrugëtimi të gjatë suksesi. Vazhdimësia e punës, serioziteti dhe pasioni ynë për mundjen, me siguri që do të na çojnë drejt sukseseve edhe më të mëdha në të gjitha kategoritë, sepse po spikatin shumë talente.

Unë si trajner i Tomorit për trofeun e fituar në Kupë, do të ndaja suksesin me mundësit e talentuar që na përfaqësuan duke nisur me kampionët e përkushtuar si Aleks Gjata, Kevin Brami, Xhoni Shehu, për të vijuar me nënkampionët Martin Likollari, Geraldo Metaj, Klejdi Dudushi, Frenki Yzi, Selmiar Jaho, dhe po kaq të rëndësishëm në grumbullimin e pikëve për tu shpallur kampion si ekip, ishin edhe mundësit që u renditën në vendin e tretë si Ensar Buba, Keol Alimetaj, Jael Mucolli, të cilët përbëjnë në tërësi organikën e suksesit të fundit kombëtar.

Sigurisht që si bazë e këtij suksesi, veç talentit dhe përkushtimit tonë të përbashkët si ekip, një meritë të madhe ka edhe mbështetja shumë e fortë dhe përkujdesja e veçantë që na jep klubi shumësportësh Tomori, dhe Bashkia nëpërmjet kryebashkiakut dhe presidentit Ervin Ceca”, deklaron trajneri i Tomorit në mundje, Oldi Dyshniku.

PANORAMASPORT.AL